TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka lënë në fuqi sërish edhe për vitin 2024 tarifën e transmetimit prej 28 lekë/m3 për transmetimin e gazit nga ana e shoqërisë publike Albgaz.
Në vendimin që i takon fundit të vitit të shkuar Enti ka sqaruar se kjo tarifë edhe pse e miratuar si procedurë nuk prek drejtpërdrejt kompaninë pasi kjo e fundit ende nuk ka aktivitet në transmetim. Ndërkohë që tarifa do të rishikohet për t’ju përshtatur nevojave të kompanisë e cila gjithashtu ka paraqitur vitin e shkuar një plan 10 vjeçar investimesh.
Vendimi për tarifën e transmetimit nga ana e Albgaz është miratuar nga viti 2019 dhe qysh atëherë nuk ka pasur ndryshime vetëm shtyrje të fuqisë së saj. Kështu për vitin aktual tarifa i referohet pikës 1 të vendimit të 5 viteve të shkuara që është 28 Lekë/m3 ose 2.6457 Lekë/kWh.
Në vendimin e tij Enti sqaron se “duke patur parasysh se bordi i ERE-s me vendimin nr. 293, datë 23.10.2023 vendosi të fillojë procedurën për shqyrtimin e kërkesës për miratimin e planit dhjetëvjeçar të investimeve nga shoqëria “Albagaz” sh.a., që përmban investimet afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata të shoqërisë si dhe vlerësohet se deri në momentin e paraqitjes së aplikimit të shoqërisë për miratimin e një tarife transmetimi të gazit natyror sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi, bëhet e nevojshme shtyrja e fuqisë juridike e vendimit të bordit të ERE-s nr. 206 datë 16.12.2019”.
Në pikën dy të vendimit të Bordit thuhet se nëse do të ketë efekte në të ardhurat e kërkuara të shoqërisë “Albgaz” sh.a. nga të ardhurat e kërkuara të përkohshme, do të bëhet përditësimi dhe kompensimi i tyre sipas përcaktimeve të nenit 17, pika “e” të ligjit nr.102/2015 “Për sektorin e gazit natyror”, i ndryshuar.
Plani i investimeve i Albgaz
Vitin e shkuar kompania paraqiti pranë Entit planin e investimeve që ishte përshtatur edhe me disa ndryshime të një vendimi qeverie mbi planet afatshkurtra dhe afatmesme të sektorit të gazit. Kështu projekteve të mëparshme si zhvillimi i gazsjellësit TAP – TEC-i i Vlorës, dhe nëse është e mundur, zhvillimi i sistemit të shpërndarjes së gazit në qytetin e Vlorës apo zhvillimi i sistemit të transmetimit për të furnizuar konsumatorët spirancë në Fier dhe Ballsh dhe nëse është e mundur zhvillimi i sistemeve lokale të shpërndarjes së gazit në zonat e Fierit dhe Ballshit iu shtua edhe zhvillimi i pikës së daljes dhe rrjetit të shpërndarjes Bashkia Korçë.
Në terma afatmesëm dokumenti parashikon zhvillim të sistemit të transmetimit për të furnizuar kryesisht zonat industriale në Elbasan, si dhe zhvillimi i hapësirave të depozitimit të gazit në Dumre. Po kështu zhvillimi i sistemit të transmetimit për furnizimin e konsumatorëve industrialë dhe komercialë në zonën e Durrësit dhe të Tiranës. Këtij grupi i është shtuar edhe prioriteti për zhvillimi i rrjetit të shpërndarjes së gazit të lëngshëm natyror.
Plani i investimeve parashikon edhe aspekte të lidhura me TEC Vlorën ku në vendimin e Entit Rregullator të Energjisë zbardhet një korrespondencë mes institucioneve teksa nënvizohet se Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) sh.a. nr. 3933/4 prot, datë 11.09.2023, nëpërmjet së cilës ka kërkuar nga shoqëria “Albgaz” sh.a. që për kapacitet e instaluara të TEC Vlora, për një regjim maksimal në 80%, sasia vjetore e nevojshme e gazit do të jetë në rreth 130 mcm në vit./Monitor