TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Drejtësia turke i ka hapur rrugë ekstradimit të Dritan Rexhepit në drejtim të Shqipërisë.
Lajmi u bë i ditur në seancën gjyqësore ndaj Rexhepit në gjykatën e Posaçme nga avokatja e tij, ku ai po gjykohet për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.
Avokatja tha se pritet miratimi nga ministri turk i Drejtësisë për ekstradimin e Rexhepit. Kujtojmë se Dritan Rexhepit, ishte në listën e Interpolit, pasi kërkohet edhe nga Italia që e ka dënuar me 20 vite burg dhe Ekuadori.
Dritan Rexhepi u kap si rezultat i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese të disa vendeve partnere dhe Shqipërisë. Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, më datë 26.03.2006, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, me vendimin e datës 06.06.2013, e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Pas arrestimit të ‘mbretit’ të kokainës Dritan Rexhepi në Stamboll të Turqisë, u risoll në vëmendje çështja e rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës për të cilën akuzohej Rexhepi.
Nga hetimet rezultonte se Jan Prenga u rrëmbye pasi vëllai i tij Astriti grabiti sasinë prej 260 kg heroinë në Portin Portsmouth të Britanisë së Madhe. Për të kthyer drogën që ishte importuar nga Ekuadori në Angli. Dritan Rexhepi, që ndodhej në atë kohë në një burg të sigurisë së lartë në Ekuador e Gentian Docaj Funiqi urdhëruan të merrej peng i vëllai. Urdhri u dha në fund të muajit dhjetor 2019, - me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike - ndërsa rrëmbimi u krye pak ditë më pas.
Jan Prenga, baba i tre fëmijëve u rrëmbye në 17 janar 2020 në Kamëz, Tiranë, disa ditë pasi ishte ndjekur dhe vëzhguar këmba-këmbës. Ai u përlesh me rrëmbyesit, por ata mundën të fusnin në një makinë Range Rover me ngjyrë të bardhë dhe më pas e transportuan në kompleksin “Golden”, në pronësi të Altin Hajrit, personazh i skeduar për trafik të lëndëve narkotike. Festim Bexhdili ishte kopshtar i resortit “Golden” në Shijakut, nga garazhi i të cilit u transportua trupi i Jan Prengës. SPAK administroi orë të tëra pamje filmike nga kamerat e resortit, të cilat konfimuan lëvizjet e personave të përfshirë në ngjarje.
Sipas SPAK organizimi i rrëmbimit është kryer nga të pandehurit Martin Bleta e Korado Keshteja, ekzekutimi u krye nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar.
Prej qershorit 2023 në Gjykatën e Posaçme gjykohen në mungesë Dritan Rexhepi, Gentian Funiqi, Geraldo Martini, Aldo Majnishta, Martin Bleta, Korado Geshtenja e Artan Docaj të akuzuar si grup i strukturuar kriminal per rrembimin e Jan Prengës.
Deri tani për këtë krim më 29 shtator 2022 u dënua me burgim të përjetshëm kopshtari i kompleksit “Golden”, Festim Bexhdili. Aldo Manjishta u arrestua më 6 gusht 2023 në Kosovë.
Ndërkohë gjyqi per Altin Hajrin, pronari i kompleksit "Golden" për të njejtat akuza është pezulluar deri në njoftimin dhe kapjen e tij.