AKTUALITET, 14 Nëntor 2024, 19:32

Akuzohet për lidhje me krimin, Jurgis Çyrbja dëshmon nesër për herë të parë në SPAK

Akuzohet për lidhje me krimin, Jurgis Çyrbja dëshmon nesër

Për herë të parë që pas arrestimit, prokurorët e Posaçëm do të marrin dëshminë e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja, i cili dyshohet për korrupsion në zgjedhje, tregtim të sekretit shtetëror e përkrahje të autorit të krimit.

Ish-deputeti pritet të japë shpjegime të premten në orën 11.00 në praninë e avokatit mbrojtës dhe më pas prokurorët e posaçëm do të thërrasin dhe marrin në pyetje të gjithë personat të cilët kanë dalë nga komunikimet e Jurgis Çyrbjas dhe personave të tjerë të identifikuar deri më tani.

Nga zbërthimi i bisedave në SKY ECC, u zbulua se në favor të votave për tu zgjedhur si deputet në qarkun Durrës në zgjedhjet e 2021, Çyrbja, informonte bosë të krimit për operacionet policore me qëllim që ata të mos arrestoheshin. Ndërkohë që Edmond Koçi, i njohur si Mond Çekici, i cili u ekzekutua në 2021 dhe Altin Hajri, i shumëkërkuar për rrëmbimin e zhdukjen e Jan Prengës kanë ndikuar sipas SPAK pranë zyrtarëve socialistë që emri i Çyrbjas të ishte në listë të sigurt për deputet.

Ish-deputeti do të japë shpjegime se kush e propozoi emrin e tij për deputet dhe në ç’mënyrë i siguroi dokumentet sekrete që ua shpërndante njerëzve të krimit.

Jurgis Çyrbja ndërkohë është marrë I pandehur po nga SPAK për shpërdorim detyrë lidhur me 4 praktikë pronash gjatë kohës që drejtonte hipotekën e Durrësit.

Të pandehur për këtë çështje janë marrë edhe ish-kryetari I komunës Rrashbull, Hysen Gashi, si dhe ish-zyrtarët Ervis Mustafa, Qamil Lila, Edlira Çollaku dhe Elda Doçi.