AKTUALITET, 10 Tetor 2025, 10:35

Akuzat/ Shtyhet për herë të dytë seanca paraprake ndaj Erion Veliajt! Zbulohet arsyeja

Akuzat/ Shtyhet për herë të dytë seanca paraprake ndaj Erion

Për herë të dytë është shtyrë seanca paraprake për ish kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Mësohet se shkak është bërë mosparaqitje e avokatëve, pasi vazhdon ende bojkoti i seancave pas vrasjes së gjyqtarit, Astrit Kalaja.

Seanca e radhës u caktua më datë 21 tetor në orën 09:00, ku edhe do të vendoset nëse dosja ndaj Veliajt, bashkëshortes së tij dhe personave të tjerë, do te kalojë apo jo për gjykim.

Të enjten e 2 tetorit Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e Erion Veliajt, i cili kërkon zëvendësimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” me një masë më të butë.

Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë, kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.

Sipas SPAK, ish kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa.

Megjithëse Veliaj ka kërkuar që të lihet i lirë, sipas Gjykatës së Posaçme të Apelit, ai së bashku me Xoxën, kanë tentuar të ‘helmojnë’ dhe prishin provat e çështjes, duke kërcënuar dëshmitarët dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.