AKTUALITET, 9 Mars 2026, 09:43

Akuzat/ Nis gjyqi për dosjen Veliaj, mbahet sot seanca e parë e themelit për kryebashkiakun dhe të tjerët

Akuzat/ Nis gjyqi për dosjen Veliaj, mbahet sot seanca e parë e

Nis sot në GJKKO, në orën 09:30, gjyqi për dosjen “Veliaj”, me të pandehur kryebashkiakun e Tiranës, bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa dhe 28 persona të tjerë e shoqëri. Sot do të mbahet seanca e parë e themelit pasi GJKKO kaloi për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës.

Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt, pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.

Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milion euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa.

Ndërkohë kërkesat e njëpasnjëshme të Erion Veliajt për të dalë nga qelia janë rrëzuar nga gjykatat e të gjitha niveleve.

Kujtojmë që Gjykata Kushtetuese rrëzoi më 3 nëntor të vitit të kaluar vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, duke e gjetur atë të papajtueshëm me Kushtetutën.