TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Përfaqësuesit ligjorë të Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, kanë dorëzuar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar një kërkesë për zëvendësimin e masës së sigurimit personal ndaj klientit të tyre.
Në kërkesën e paraqitur nga avokatët, argumentohet se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar tashmë hetimet në ngarkim të Ilir Metës, dhe për rrjedhojë, vijimi i masës së paraburgimit nuk ka më bazë procedurale.
Sipas mbrojtjes, tashmë nuk ekziston më mundësia që Ilir Meta mund të prishë provat, për shkak se hetimi është mbyllur dhe dosja ka kaluar për gjykim. Po kështu, në kërkesën e tij për lehtësim të masës së Metës, avokati propozoi që ish-Presidentit t’i bllokohet pasaporta në mënyrë që të mos ketë mundësi të dalë nga Shqipëria.
Kujtojmë që dy ditë më parë (4 Gusht) Ilir Metës iu komunikua në SPAK mbyllja e hetimeve nga Prokuroria e Posaçme për dosjen e lobimit të LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA.
Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, në përfundim të seancës, tha se prokurorët nuk sollën asgjë të re, qoftë nga hetimi për CEZ-DIA, ashtu dhe për dosjen e lobimit në SHBA.
Avokati theksoi se betejën do ta bëjnë në gjykatë me proces të zakonshëm dhe jo të shkurtuar, çka pritet të jetë një proces i gjatë gjyqësor.
Kujtojmë se dy ditë më parë, SPAK i komunikoi zyrtarisht Ilir Metës mbylljen e hetimeve dhe kalimin e dosjes në gjykatë.
Ilir Meta akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, për çështjet që kanë të bëjnë me dosjen e lobimit të LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA.
Ish-Presidenti u arrestua më 21 Tetor 2024 dhe që prej atij momenti qëndron në paraburgim me masë “arresti në burg”.