AKTUALITET, 6 Gusht 2025, 12:52

Kontestimi i '11 majit'/ Bardhi publikon tjetër video: Kontroll nga vëzhguesit e PS mbi çdo votues në qendër votimi

Kontestimi i '11 majit'/ Bardhi publikon tjetër video: Kontroll

Gazment Bardhi ka publikuar sot një tjetër video që sipas tij dokumenton shkelje të rënda të procesit zgjedhor në qarkun e Fierit. Ai akuzon se në qendrën e votimit nr. 2817 në Njësinë Administrative Dushk, Bashkia Lushnje, vëzhgues dhe komisionerë të Partisë Socialiste kanë ushtruar kontroll mbi votën e çdo qytetari.

Në videon e shpërndarë, Bardhi pretendon se pamjet zyrtare tregojnë sesi komisionerët dhe vëzhguesit e PS kanë kontrolluar mënyrën e votimit, madje kanë nxjerrë fletët nga kutia për t’i verifikuar. Ai e cilëson këtë si një mekanizëm kriminal të përdorur nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku për të mbajtur votuesit nën presion.

Bardhi tregn sesi vëzhguesit votojnë në emër të qytetarëve, sesi nxirren votat nga kutia për tu kontrolluar, duke cenuar rëndë fshehtësinë e votës. 

Më poshtë postimi i Gazment Bardhit dhe video që tregon procesin e votimi:

Episodi 2/ VOTIM I KONTROLLUAR = FARSË ELEKTORALE

Kontrolli i çdo vote të qytetarëve nga komisionerët dhe vëzhguesit e PS ishte mekanizmi kriminal që Belinda Balluku përdori në qarkun Fier për të mbajtur nën presion çdo votues.

Nëse ndonjë votues votonte vetëm, i pa shoqëruar, nxirreshin votat nga kutia për të verifikuar mënyrën sesi kanë votuar qytetarët, siç tregojnë edhe këto pamje zyrtare të kamerave të QV-së. 

Ky është një krim zgjedhor i rëndë por që mbetet i pandëshkuar, sepse KQZ, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK, kishin për qëllim përmes Task-Forcës të bënin show dhe jo punën e tyre.

Shqipëria nuk mund të bëjë përpara në procesin e integrimit europian nëse nuk garanton zgjedhje të lira, të drejta dhe të barabarta. Zgjedhjet e 11 Majit nuk përmbushnin asnjë nga këto standarde. 

QV 2817, Njësia Administrative Dushk, Bashkia Lushnje