AKTUALITET, 29 Korrik 2022, 14:40

Akuza për deklarim të rremë të pasurisë, shtyhet më 12 shtator procesi për anëtaren e KPK-së

Akuza për deklarim të rremë të pasurisë, shtyhet

Procesi ndaj Etleda Çiftjas, anëtare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në GJKKO, është shtyrë për në 12 shtator.

Pretenca u shty për shkak të mungesës së prokurores.

Ndërkohë avokati i Etleda Çiftes deklaroi se e vetmja mënyrë për zgjidhjen e kësaj çështje ishte nëpërmjet gjykimit të shkurtuar. 

“Në seancën e kaluar prokurori i çështjes kërkoi që pretendimet e saj të jepeshin në shtator. Sot prokurori i çështjes ka sjellë një kërkesë që të shtyhet seanca ndaj klientes time. Duhet të bëhej gjykimi me urgjencë i kësaj çështje, nuk mund të pritet deri në shtator. Nëse ka apo jo konflikt interesi, atë nuk e cakton Etleda Çiftja”– u shpreh mes të tjerash, avokati mbrojtës i anëtares së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit

Sipas veprimeve hetimore të kryera nga SPAK, ka rezultuar se në Korrik 2017, anëtarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Etleda Çiftja, plotëson deklaratën fillestare të pasurisë. Ndër të tjera, ajo ka deklaruar se është në pronësi të një aseti tokë arë, me sipërfaqe 3440 m2 në Qerret të Kavajës, blerë në 10 Korrik 2006, me vlerë 50 mijë euro.

Etleda Çiftja është anëtarja e tretë e institucioneve të vetingut që procedohet penalisht dhe merret e pandehur nga SPAK. Më parë janë proceduar anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, Ardian Hajdari dhe Luan Daci, ky i fundit i shkarkuar pasi u dënua me vendim të formës së prerë për falsifikim të formularit të aplikimit që mundësoi zgjedhjen e tij si anëtar i Kolegjit.