TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Gjykata e Shkallës së Parë të Jurisdiksionit të Përgjithshëm Berat ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për 20-vjeçarin Emilio Zema, që aksidentoi me motor tre ditë më parë turistet nga Nepali. Masa e sigurisë është kryer në ambientet e Spitalit Rajonal Berat, ku Emiljo Zema është i shtruar dhe nën kujdesin e mjekëve,pas plagëve të marra nga aksidenti.
Duke parë dinamikën e aksidentit, ku 20-vjeçari ka rezultuar se ishte duke qarkulluar me shpejtësi jashtë normave të lejuara, ku turistja ka rezultuar se i ka prerë rrugën motorit në përpjekje për të kaluar në anën tjetër të rrugës, pa qenë në vijat e bardha dhe duke vlerësuar edhe dëmtimet e marra nga të dyja palët, prokurori Eni Culli i ka kërkuar gjykatës vlerësimin të ligjshëm të arrestimit të tij për veprën penale “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie”.
Pasi ka dëgjuar organin e akuzës si dhe pretendimet e avokatit mbrojtës të 20-vjeçarit, gjyqtarja Lumturi Zhupa, ka vlerësuar “të ligjshëm” arrestimin e shtetasit Emilio Zema dhe ka caktuar për të masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
NGJARJA
Aksidenti ndodhi tre ditë më parë në qendër të qytetit, tek Ura Varur. Motori, me targa BP 293,që drejtohej nga 20-vjeçari Emilio Zema, duke qarkulluar nga Ura e Goricës në drejtim të Urës së Varur, ka goditur një turiste nga Nepali, që po kalonte nga njëra anë e rrugës në tjetrën, e shoqëruar nga disa turistë të tjerë. Përplasja ka qenë aq e fortë saqë turistja S.Th,33-vjeçe dhe drejtuesi i motorit, Emilio Zema,20-vjeç,janë përplasur në asfalt, të plagosur rëndë.
Ata janë transportuar drejt Spitalit Rajonal Berat, ku 20-vjeçari ndodhet ende i shtruar dhe nën kujdesin e mjekëve për shkak të plagëve të shumta që ka marrë, ndërkohë që turistja 33 vjeçe me inicialet S.Th., pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore, është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.