AKTUALITET, 20 Mars 2023, 12:51

Aksidentet në shkurt u rritën 14.3%, më problematikët drejtuesit e grupmoshës 35-44 vjeç

Aksidentet në shkurt u rritën 14.3%, më problematikët

Pas muajsh të tërë në rënie aksidentet në shkurt të këtij viti kanë shënuar kthesë negative duke u rritur në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në muajin Shkurt 2023 numërohen 88 aksidente rrugore nga 77 të ndodhura në muajin Shkurt 2022. Numri i aksidenteve rrugore është rritur me 14,3%.

Sipas Institutit të Statistikave numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) rezulton 123 persona nga 100 në muajin Shkurt 2022.

Një tjetër element që bie në sy është rritja e pakujdesisë së shoferëve të grupmoshës 35-44 vjeç të cilët në raport me një vit më parë kanë rritje me 11.1 për qind si shkaktarë të aksidenteve nga sjellja në timon.

“Aksidentet rrugore, në 81,8% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 35-44 vjeç, duke zënë 22,7% të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë rritur me 11,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, thuhet në publikim.

Në muajin Shkurt 2023, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur në ditët e Hëna dhe të Enjte, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur të Mërkurave.

Numri më i lartë i aksidenteve ka ndodhur gjatë harkut kohor 19:00-24:00 duke përbërë 29,5% të numrit gjithsej të aksidenteve në muajin Shkurt 2023

INSTAT raportoi se në dymujorin e parë të vitit 2023, numërohen 172 aksidente rrugore nga 184 aksidente, të ndodhura në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri i aksidenteve rrugore është ulur me 6,5%. Numri i të aksidentuarve është 242 persona nga 247 persona të aksidentuar në dymujorin e parë të vitit 2022.

Aksidentet rrugore, në 19,2% të rasteve, në dymujorin e parë të vitit 2023 kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është rritur me 13,8%./Monitor