TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një aksident i rëndë në vendin e punës ndodhi pasditen e së mërkurës në një fabrikë përpunimi frutash në zonën Mulki të Kiato-s, ku një grua shqiptare 40 vjeçe mbeti e plagosur rëndë gjatë procesit të punës.
Sipas informacioneve, 40-vjeçarja, e cila ndodhej ilegalisht në vend, u transportua me urgjencë drejt Qendrës Shëndetësore të Kiato-s në gjendje të rëndë, pasi makineria me të cilën po punonte i kapi flokët, duke i shkaktuar dëmtime serioze në kokë.
Më pas, ajo u dërgua në Spitalin e Korinthit dhe, për shkak të natyrës së plagëve, u transferua në Spitalin e Përgjithshëm të Athinës “George Gennimatas”. Mjekët konstatuan dëmtime sipërfaqësore dhe humbje të lëkurës nga zona e ballit deri në skalp. Pavarësisht plagëve të rënda, gjendja e saj raportohet jashtë rrezikut për jetën.
Në lidhje me ngjarjen, autoritetet arrestuan pronarin e fabrikës, një shtetas grek 42 vjeç, i cili dyshohet se e kishte punësuar gruan në mënyrë të paligjshme. Megjithatë, ai u lirua më pas me urdhër verbal.
Burime bëjnë me dije se e plagosura u transportua fillimisht nga dy persona, të cilët deklaruan se e kishin gjetur në rrugë. Mjekët konstatuan se ajo ishte në gjendje të ecte, por ndodhej në gjendje shoku dhe nuk fliste. Ndërkohë, shoqëruesit e saj mbanin në një qese pjesën e shkëputur të lëkurës së kokës së saj, së bashku me flokët. Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe kushtet e punës në fabrikë.