AKTUALITET, 20 Maj 2022, 11:28

A mund të transferohet në SPAK dosja e Aleks Nikës? Ja si përgjigjet Arben Kraja

A mund të transferohet në SPAK dosja e Aleks Nikës? Ja si
Arben Kraja

Deputeti i Partisë Socialiste Eduart Ndreca pyeti kreun e SPAK Arben Kraja në Komisionin e Ligjeve nëse dosja për vrasjen e Aleks Nikës në protestën e 21 Janarit mund të transferohet për hetim në Prokurorinë e Posaçme.

Kraja deklaroi sipas kodit të procedurës penale kur një dosje është e regjistruar pranë një prokurorie ajo është kompetente për të vendosur mos shpallje kompetence dhe kalimin e saj në një prokurori tjetër që në këtë rast është SPAK.

Ai tha se në rastin konkret do të duhet që këtë hap ta ndërmarrë Prokuroria e Tiranës e cila ka nën hetim dosjen në fjalë.

Diskutimet në Komision

Eduart Ndreca: Aleks Nika është vrarë më 21 Janar. E ndjej detyrim të pyes a ekziston ndonjë mekanizëm ligjor të transferimit të dosjes nga prokuroria e Tiranës drejt SPAK. Pas reformës pesha e kësaj dosje lidhet më shumë me kompetencat e SPAK.

Arben Kraja: Kur një procedim penal është pranë një prokurorie është ajo kompetente për të vlerësuar se çfarë ka në dosje dhe për të parë nëse ka elementë që nuk jam kompetencë e saj por të një prokurorie tjetër.

Mbi këtë bazë i drejtohen aktet një prokurorie tjetër që në këtë rast është SPAK i cili i vlerëson dhe vendos ta pranojë apo mos ta pranojë. Edhe ai rast duhet të zgjidhet në këtë formë.