AKTUALITET, 11 Maj 2024, 15:59

33 vjetori i Koha Jonë, Presidenti Begaj dekoron Nikollë Lesin: Nga sot "Mjeshtër i Madh" me dekret

33 vjetori i Koha Jonë, Presidenti Begaj dekoron Nikollë Lesin: Nga

11 Maji shënoi përvjetorin e 33-të të daljes së numrit të parë të gazetës së pavarur, KOHA JONE. Gazeta KOHA JONE me 11 maj 1991 doli si gazetë e lirë. Pikërisht sot Presidenti i Republikës, Bajram Begaj i dorëzoi në një ceremoni zyrtare Dekretin me Dekoratën e Lartë botuesit të KOHA JONE, Nikoll Lesi.

Në ceremoni ishin gazetarë dhe ish-gazetarë të gazetës KOHA JONE.

Në fjalën përshëndetëse Presidenti Republikës tha se nga sot Lesi do të ishte "Mjeshtër i Madh" me dekret.

“Jemi këtu sot për t’i dorëzuar titullin “Mjeshtër i Madh” gazetarit, drejtuesit dhe botuesit të suksesshëm, Nikollë Lesi. Ky titull i firmosur nga unë disa muaj më parë, nuk u tërhoq nga zoti Lesi. Përmes një modestie të pashembullt, ai kërkoi që titullin ta tërhiqte në 33-vjetorin e gazetës “Koha Jonë”, pikërisht më 11 maj. Siç m’u shpreh,- ky titull shkon për kontributin, pasionin, profesionalizmin, sakrificat dhe idealizmin e gjithsecilit prej atyre që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi mediatik. Emri i Nikollë Lesit është pazgjidhshmërisht i lidhur me gazetën që ai themeloi, drejtoi dhe botoi, gazetën “Koha Jonë”. Për shqiptarët që e kanë lexuar e ndjekur, Gazeta “Koha Jonë” pati një ndikim të fortë në kapërcyellin e dy shekujve në Shqipëri.

Ajo ishte një medie e lirë, një shkollë gazetarie, një akademi që rriti dhe frymëzoi disa breza. Nikollë Lesi, me vizionin e tij për medien e lirë e të pavarur dhe frymën opozitare vendosi në gazetarinë shqiptare standardin e guximit për të shkruar të vërtetën. Liria e medies është liri e të menduarit dhe të shprehurit, është liri e fjalës është thelbi i demokracisë dhe unë mendoj se askush nuk duhet të ketë frikë nga kjo. Shoqëria jonë ka gjithmonë nevojë për zëra të cilët mbartin frymën e lirisë dhe pavarësisë në fushën mediatike.

Prandaj shembulli i medias “Koha Jonë” dhe botuesit të saj, përbëjnë një burim frymëzimi dhe shprese sidomos për brezin e ri të gazetarëve. Ata sot përfundojnë formimin e tyre në degën e gazetarisë dhe komunikimit, formim që për shumë nga gazetarët e 30 viteve të fundit kaloi nga shkolla e medias “Koha Jonë”. Sot ish gazetarët e “Koha Jonë” janë kudo në median shqiptare, madje e drejtojnë atë. Ata kanë ruajtur e kanë marrë me vete nga ajo kohë idealizmin dhe pasionin, pasi në çdo kohë këto janë vlera që duhet të shoqërojnë profesionalizmin dhe paanësinë në thënien e së vërtetës. Vetëm kështu ata kanë arritur të jenë faktorë, influencues të opinionit publik dhe të meritojnë të qenurit Pushteti i Katërt.

Gëzuar 33 vjetorin Koha Jonë!

Gëzuar Nikollë Lesi!’- përfundoi Presidenti i Republikës.

Pas fjalës së zotit Bajram Begaj e mori fjalën botuesi i KOHA JONE, Nikoll Lesi, i cili falënderoi Presidentin për vlerësimin dhe nderimin që i bëri personalisht, por Lesi theksoi se kjo Dekoratë është për të gjithë gazetarët që kanë punuar e shkruar në KOHA JONE që nga maji i vitit 1991 e deri me sot.