TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në Triportin e Vlorës operojnë afro 240 peshkatarë, të cilët çdo ditë dalin në det me shpresën se grepat dhe rrjetat do të kenë bollëk. Ajo që i shqetëson ata në punën e përditshme, janë kushtet dhe infrastruktura në portin e peshkimit. Afro 80 anije peshkimi me dhjetëra kapitenë dhe peshkatarë që ankorohen në Triport nuk trajtohen në mënyrën e duhur nga institucionet përkatëse. Gjendja ku ata ndodhen mund t’i çojë drejt falimentimit.
“Ne në radhë të parë na mungon që porti, korrenti, uji. I shikon këto anijet si janë bërë, katrahurë, s’ka ujë t’i lash”, tha një prej peshkatarëve. Ata thonë se paguajnë të gjitha detyrimet ndaj shtetit, por ky i fundit i ka lënë në harresë. “Licencën e paguajmë, detyrimet po ashtu. Naftë nuk marrin anijet e vogla, e blejmë atje. Ja ke drita? Ke ujë? Vemi mbushim te pusi. Prej sa vitesh ka kjo situatë kështu? Tërë jetën kështu”, tha ai.
Mbi shqetësimet e tyre janë prononcuar edhe përgjegjës të sektorit të peshkimit në qytetin e Vlorës, të cilët e pohojnë të vërtetën e peshkatarëve dhe flasin për një planprojekt, i cili pritet të ndryshojë situatën në sektorin e peshkimit. “Niveli i peshkimit në Vlorë është i organizuar me mjete primitive, grepa, trata të cilat i përdorin anijet, kushtet janë shumë të vështira, kjo krijon problematika”, tha ai.
Peshkimi është një nga industritë bazë për qytetin bregdetar, rëndësia e të cilit po zhvlerësohet çdo vit e më shumë. Në këtë sektor jetik për qytetin, kulinarinë dhe sektorin e turizmit, mungojnë kushtet elementare të punës.