AKTUALITET, 27 Shkurt 2024, 15:07

“21 janari” do të hetohet nga SPAK? Gjykata e Lartë shtyn seancën, detajet

“21 janari” do të hetohet nga SPAK? Gjykata e Lartë shtyn

Gjykata e Lartë ka shtyrë seancën ku pritej të vendosej nëse hetimet për dosjen e 21 janarit do të kryhen nga Prokuroria e Posaçme apo nga ajo e Tiranës.

Gjykata europiane për të drejtat e njeriut në vendimin e zbardhur për vrasjen e Aleks Nikës në protestat e 21 janarit ka bërë përgjegjës shtetin shqiptar për vrasjen por edhe për mos zbardhjen e saj dhe ndëshkimin e autorëve.

Sipas gjykatës, shteti dështoi të kontrollojë protestën dhe oficerët e Gardës së Republikës përdorën armët e zjarrit duke vrarë katër persona përfshi edhe Aleks Nikën. Në Shqipëri, sipas vendimit të Strasburgut, gjykatat nuk saktësuan nëse përdorimi i armëve mbi protestuesit ishte mundësia e fundit për gardistët.

“Proceset kombëtare nuk shqyrtuan nëse forcat e sigurisë mund të kishin përdorur mjete të tjera (jo-vdekjeprurëse) për kontrollin të turmave, të cilat në ditën e ngjarjeve ishin përdorur shumë pak dhe kjo për motive që nuk janë shpjeguar nga autoritetet”.

Po kështu gjykata thotë në vendim se, zyra e Kryeministrisë qe drejtohej nga Sali Berisha nuk ofroi të gjitha video incizimet ose Prokuroria dështoi të sekuestrojë regjistrimet që do të ishin provë e vlefshme për hetimin.

Në fund gjykata europiane për të drejtat e njeriut sugjeron se autoritetet duhet të vazhdojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së Aleks Nikës dhe identifikimin e ndëshkimin e përgjegjësve. Gjykata e Strasburgut u vu në lëvizje me kërkesë të familjes Nika.

Dosja për vrasjen e Aleks Nikës po hetohet prej 2 vitesh nga prokuroria e Tiranës që nuk ka dalë ende në një përfundim për autorësinë e krimit.  Aleks Nika mbeti i vrarë në protestën e 21 janarit 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, bashkë me 3 protestues të tjerë./Abc