AKTUALITET, 1 Prill 2023, 11:47

14 vjetori i anëtarësimit në NATO/ Meta: Korrupsioni ka cenuar disa nga asetet më strategjike në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare

14 vjetori i anëtarësimit në NATO/ Meta: Korrupsioni ka cenuar

Kreu i PL, Ilir Meta reaguar në lidhje 14-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ku shprehet pse prej 1 prillit të vitit 2009-të shqiptarët kanë garanci të plotë se vendi gëzon mbrojtjen e lirisë dhe sigurisë.

Meta në ‘Facebook’ ka falënderuar pjesëmarrjen e presidentit George W.Bush në vendin tonë në vitin 2007, pasi mbështeti anëtarësimin e vendit tonë në NATO.

Sakaq shton se PL do të angazhohet për të t’i dhënë mbështetjen e duhur Forcave të Armatosura duke rritur buxhetin për mbrojtjen sipas kërkesave të NATOS-s.

Postimi i plotë:

Sot është 14 vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, strukturën më të rëndësishme të mbrojtjes dhe ruajtjes së paqes në botë.

Qytetarët tanë prej 1 Prillit 2009, kanë garancinë e plotë se vendi i tyre gëzon mbrojtjen e lirisë dhe sigurisë përmes ekzistencës së kësaj Aleance. Ata jetojnë në një rajon, për paqen dhe stabilitetin e të cilit, NATO ka pasur dhe vazhdon të ketë një rol jetik dhe të pazëvendësueshëm.

Një falënderim e mirënjohje për SHBA dhe në veçanti për Presidentin George W. Bush, i cili edhe me vizitën e tij të paharruar në Tiranë, të vitit 2007, frymëzoi e mbështeti përpjekjet e përbashkëta për realizimin final të qëllimit madhor të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Mirënjohje për të gjithë ata burra e gra, në politikë, por edhe në fushën ushtarake e të sigurisë, që realizuan 14 vite më parë rreshtimin e Shqipërisë krah aleatëve tanë në NATO.

E ndërsa sot nderojmë ushtarakët tanë, që bëjnë më të mirën për Forcat tona të Armatosura, nuk mund të harrojmë kushtet e vështira në të cilat ata shërbejnë si dhe korrupsionin qeveritar, i cili ka cënuar edhe disa nga asetet më strategjike në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare.

Partia e Lirisë angazhohet për t’u dhënë mbështetjen e merituar Forcave tona të Armatosura, përmes rritjes të buxhetit për mbrojtjen sipas kërkesave të NATO si dhe dhënies fund njëherë e përgjithmonë të politizimit  të institucioneve të sigurisë kombëtare.