AKTUALITET, 31 Mars 2023, 20:39

Pa autor plagosja e gruas në Lushnje. Shaip Hasalla: Djemtë e mi janë jashtë vendit

Pa autor plagosja e gruas në Lushnje. Shaip Hasalla: Djemtë e mi

Familjarët e gruas që u plagos në Lushnjë akuzojnë familjen Hasalla për ngjarjen, por këta të fundit mohojnë të kenë lidhje. Ashtu siç deklaruan dy vëllezërit edhe babai i tyre Shaip Hasalla thotë se djemtë e tij nuk janë në Shqipëri.

Shaipi është një nga personat e marrë në pyetje në lidhje me plagosjen e Bajame Senaj ndërsa policia mori edhe dëshminë e dy djemve të tij përmes telefonit.

Vëllai i gruas Afrim Hasalla, akuzoi fisin tjetër me të njëjtin mbiemër se u bënë pritë pasditen e së enjtes duke i qëlluar me armë zjarri.

Por policia e Lushnjës nisur edhe nga dëshmitë e marra nuk ka një autor për plagosjen ndërsa vijon hetimet për familjet Hasalla.

Bajame Senaj mori një plumb në këmbë dhe ndodhet në spital në Tiranë nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.

Ajo bashkë me anëtarë të tjerë të familjes po kthehej nga gjyqi ndaj vëllait të saj Kastriot Hasalla i cili u dënua me 35 vjet burg.

Ky i fundit  u dënua për vrasjen e Romeo Hasallës, djalit të Shaip Hasallës në korrik të vitit 2021. Shkak u bë një konflikt pronësie një sipërfaqe toke, konflikt që vijon mes dy fiseve.