AKTUALITET, 26 Maj 2023, 11:42

13 vite në sistemin e drejtësisë, KPK shkarkon nga detyra gjyqtarin Lazër Sallaku

13 vite në sistemin e drejtësisë, KPK shkarkon nga detyra

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin Lazer Sallaku.

Trupa gjykuese e KPK, e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtar Roland Ilian kanë vendosur për shkarkimin e tij nga detyra si gjyqtar. Ndërkohë që si në seancën dëgjimore, edhe në vendimin e marrë sot, në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.

Gjatë seancës dëgjimore kundërshtoi bilancet negative kryesisht në blerjen e një apartamenti.

Në kriterin profesional, Sallaku dha shpjegime për pushimin e çështjes së privatizimit të CEZ Shpërndarje, duke theksuar se vendimarrja e tij ishte lënë në fuqi nga Apeli. Sallaku mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës.

"Sallaku dha shpjegime në kriterin profesional lidhur me një denoncim ku ngriheshin pretendime për pushim të padrejtë të hetimit lidhur me mënyrën e privatizimit të kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike, CEZ. Subjekti sqaroi se çështja ishte pushuar fillimisht nga Prokuroria e Përgjithshme dhe se kjo vendimarrje ishte lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë.

Ai sqaroi se pas rihapjes së hetimit me kërkesë të Kuvendit, Prokuroria e Tiranës kishte kërkuar sërish pushimin e hetimeve në vitin 2017.

Sallaku pohoi se nuk e kishte pranuar këtë kërkesë të prokurorisë dhe kishte vendosur rikthimin e akteve për hetime të mëtejshme, duke lënë edhe detyra konkrete. Sipas subjektit, pas afro tre vitesh, prokuroria e kishte risjellë dosjen sërish për pushim, kërkesë që ai e kishte pranuar.

Gjyqtari Sallaku theksoi se vendimarrja e tij për pranimin e kërkesës së prokurorisë për pushimin e hetimeve ishte lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit,"-bëri me dije BIRN.

Gjyqtari i Tiranës, Lazer Sallaku rezultoi me pamundësi financiare për blerjen e një apartamenti për shkak të moskonsiderimit të një vlere prej 40 mijë eurosh që ish-bashkëshortja e kishte dhuratë nga nëna.

Në përfundim, gjyqtari Lazer Sallaku e cilësoi korrekt procesin e rivlerësimit të tij dhe kërkoi konfirmimin në detyrë, por nuk i mjaftoi për t'u mbajtur në detyrë./BIRN