AKTUALITET, 28 Maj 2025, 11:51

'11 maji'/ PE vlerëson fitoren e Ramës, Metsola: Fushata elektorale u bazua në premtimin për integrimin e shpejtë të vendit

'11 maji'/ PE vlerëson fitoren e Ramës, Metsola: Fushata

Kryetarja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, ka vlerësuar fushatën elektorale në Shqipëri. Teksa fliste për procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit, në një takim të Këshillit Atlantik në Shtetet e Bashkuara, Metsola solli si shembull rastin e Shqipërisë.

Ajo tha se vlerësoi fushatën elektorale që socialistët e Edi Ramës zhvilluan në emër të integrimit europian, si një aspiratë për gjeneratat e reja.

“I patë zgjedhjet që u zhvilluan në Shqipëri pak javë më parë. Aty, fushata elektorale u bazua në premtimin për integrimin e shpejtë të vendit në familjen tonë evropiane si një aspiratë veçanërisht për gjeneratat e reja”, tha Roberta Metsola.

Sa i përket integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Metsola thekson se ky nuk është një proces i lehtë për faktin se marrëdhënia mes këtyre vendeve është majft e ndërlikuar. Megjithatë, ajo vë në dukje edhe mungesën e angazhimit të BE-së për t'i integruar plotësisht. 

“Nuk është proces i lehtë sepse edhe marrëdhëniet mes këtyre vendeve janë të ndërlikuara, por nga ana tjetër nga BE-ja ka munguar angazhimi i qartë për t’i integruar plotësisht dhe në një kohë të shpejtë. Janë shtete të vogla prandaj ne mund t’i integrojmë lehtësisht, sigurisht që edhe ato duhet të bëjnë reformat e kërkuara”, tha Roberta Metsola.