AKTUALITET, 5 Nëntor 2020, 11:34

Projekbuxheti në kohën e Covid-19, pa draft B për një mbyllje të dytë!

Projekbuxheti në kohën e Covid-19, pa draft B për një


Kryeministri Edi Rama kërkon ta kalojë pandeminë e rëndë me kufizime të pakompensuara ndaj qytetarëve dhe bizneseve. Në rastin më të mirë qeveria do të japë ca thërrime si ajo e djeshmja, ku u deklarua një vendim për paketën ndihmëse 4 mijë lekëshe për çdo punonjës, dhënë bizneseve. Kjo paketë është vetëm 1.5 milionë dollarë dhe do të katandiset më pak, sepse ka kushtin “për bizneset që zbatojnë masat anti-covid19”.

Shëndetësia

Skema e qeverisë del e qartë nga prezantimi që bëri sot në Kuvend, ministrja e Financave, Anila Denaj. Për shëndetësinë në vitin 2021, në raport me përballimin e pandemisë parashikohet një fond 6 miliardë lekë ku përfshihet edhe blerja e vaksinës anti-covid (nëse do të zbulohet, përndryshe edhe këto para i kalojnë koncesioneve në këtë sektor).  I gjithë buxheti për sistemin e drejtësisë do të jetë 7.5 miliardë lekë në vitin e ardhshëm, tha ministrja. Por kujtojmë këtu se brenda kësaj shifre janë edhe paratë e shtesës së rrogës që do të bëhet për mjekët dhe infermierët.

Shifrat që deklaron ministrja në Kuvend duhen marrë me rezervë, në kuptimin se rrugës nuk zbatohen. Kjo vërtetohet edhe nga skandali me vaksinë e gripit të stinës. Ishin deklaruar se do të bliheshin vaksina sa për 20 për qind të popullsisë (Burimi: Komiteti i Ekspertëve) por tani nuk ka nëpër farmaci asnjë copë vaksinë. Urdhri i farmacistëve denoncoi se janë blerë vetëm 9500 copë vaksina.

A do të ketë mbyllje të dytë?

Sigurisht që me shifrat në rritje të të të prekurve nga koronavirusi dhe kur vendet fqinj si Italia dhe Greqia po shkojnë drejt karantinës, Shqipëria nuk do të bëjë ndryshe. Ajo që pritet të bëjë Kryeministri Rama, që e bën zakonisht në raste fatkeqësish, është të mos shpallë gjendje të jashtëzakonshme.

Rama do t’i trajtojë masat e parandalimit ndaj koranvirusit jo si mbyllje, por si kufizime të pjeshme apo do të shpikë ndonjë term të ri për të zëvendësuar fjalën karantinë. E gjithë kjo bëhet për paratë. Buxheti Ramës i duhet ta ndajë me koncesionarët. Qeveria ka parashikuar në buxhet të paguajë 13 koncesione. Karantina është për bizneset e tjera dhe për qytetarët, jo për koncesionet dhe tenderët e infrastrukturës. A dinise buxheti për tenderët e rrugës ka më shumë para se shëndetësia në planin e vitit 2021!

Qeveria pa draft B për pandeminë!

Para disa ditësh, një deputete në Komsionin e Ekonomisë e pyeti pa të keq ministren e Financave, a kishte ndonjë draft B qeveria, nëse pandemia do të shtrengojë dhe duhet të bëhet një mbyllje e dytë ekonomike e Shqipërisë.  Ja si u përgjigj Ministrja e Financave, Anila Denaj: “Rreziku më i madh fiskal do të ishte zgjatja në kohë e pandemisë. Buxheti është përgatitur jo për një situatë emergjente dhe një situatë e vështirë me pandeminë do të cenonte rritjen e të ardhurave. Ky risk ne vlerësojmë se mund të materializohet në vlerën e 10-12 miliardë lekë nga totali i rritur me mbi 40 miliardë lekë i të ardhurave”

Më tej ministrja shtoi se ka vetëm një zgjidhje, ngrirja e shpenzimeve buxhetore në disa sektorë.

“Ky skenar do të ishte shumë mirë të mos formalizohej asnjëherë pasi për ekonominë tonë do të ishte dramatik, dhe është e nevojshme që ne të mendojmë se cilat janë ato shpenzime buxhetore që ne mund t’i ngrinim në mënyrë të menjëhershme, ti pezullojmë për disa kohë që të siguronim një balancë makro-ekonomike”, tha Denaj.

Sugurisht, gjithçka nuk është jashtë parashikimit, do të shprehej në sinkron edhe kryeministri Rama, I pyetur mbi një mbyllje të dytë. Edhe ky thjesht uroi të mos ndodhë. Po çfarë na hyn në punë urimi apo shpresa e tij. Njerëzit duan një plan B, të dinë sa para të taksave të tyre do të ndahen për një mbyllje të dytë, nëse ajo ndodh!

Pandemia si rrezik për ekonominë

Ky projektbuxhet që po gatuhet me urgjencë dhe i mbuluar nga tam tamet dhe numrat e cirkut të Ramës, duke inskenuar debate me opozitën dhe presidentin, nuk është i përgatitur për një situatë emergjente.

Një tjetër nismë elektorale që hyn në fuqi vitin që vjen është rritja e pagës minimale nga 26 në 30 mijë lekë.

“Rritja e pagës minimale do të ketë një efekt në kontribute në masën e 3 miliardë lekëve, dhe do ta nisim në janar të vitit 2021”, deklaroi Denaj. A do të realizohet ky premtim i Ramës në 1 janar2021? A do të kemi rritje ekonomike 5.5% në 2021? (Zhvillimet makro ekonomike të këtij viti. 6 mujori i 2020 shënoi një rënie -6.6% përqind, deklaroi Denaj. Konsumi shënoi rënie 6.9%.)

Tek relacioni i projektbuxhetit, pjesa mbi riskun e realizmit të të ardhurave të buxhetit (zakonisht këto rreshta I shkruajnë ekspertët e ministrisë), theksohet se realizimi i këtij projekti vihet në dyshim nëse zgjat pandemia. Pra, zgjatja e pandemisë parashikohet si opsion për goditjen e të ardhurave nga taksat, por nuk planifikohet si një fatkeqësi që godet biznesin dhe qytetarët e këtij vendi. Ta quajmë shpirtligësi dhe mungesë ndjeshmërie të këtij kryeministri, kjo është pak!

/TPZ.al/