AKTUALITET, 30 Korrik 2021, 15:19

Aksioni i Policisë që sekuestroi 1 kg kokainë tek ‘Xhamlliku’/ Shoferi i Benz-it që i iku policisë lihet në arrest shtëpie, kush mbeti në burg (Detaje nga dosja hetimore)

Aksioni i Policisë që sekuestroi 1 kg kokainë tek


Gjykata e Tiranës caktoi këtë të premte masat e sigurisë për pesë të arrestuarit e operacionit ku u sekuestrua pak ditë më parë një sasi prej 1 kg kokainë.

Togat e zeza vendosën të lënë në “arrest shtëpie” shoferin e makinës tip “Benz”, i cili i iku në mënyrë spektakolare nga duart efektivëve të policisë, 26-vjeçari Gazmir Cani.

Ndërsa Gentian Kore, Erjon Prengaj, Altin Gega dhe Taulant Çoku, do të qëndrojnë në burg.

Gentian Kore është personi që në rrugën “Kujtim Laro” në kryeqytet ka një dyqan të makinave me qira, ku nga policia janë konstatuar në datën 27 korrik veprime të dyshimta.

Sipas dosjes së Prokurorisë, disa persona me një makinë autoveturë, të markës “Volvo” me targë DO XC 500 kanë hyrë e kanë dalë nga ky dyqan më 27 korrik.

Në një moment pasi hynë këta persona në dyqan vjen dhe një makinë tip autoveturë e markës “Volkswagen” me targë AA573SO nga e cila zbret një djalë me dy kuti picash në dorë dhe futet në dyqanin e dhënies së mjeteve me qira të shtetasit Gentian Kore.

Duke pasur dyshime se djali me kuti picash mund të kishte sjellë lëndën narkotike, është vendosur ndërhyrja në këtë ambient me qëllim kapjen në flagrancë të gjithë këtyre personave së bashku me lëndën narkotike.

Sapo policia është afruar për të hyrë në dyqanin e pikës për dhënie mjetesh me qira, me jelek me mbishkrim policia, janë larguar me vrap të gjithë personat që ndodheshin aty dhe konkretisht tek dera e dyqanit është bllokuar shtetasi Gentian Kore, pak metra më tutje ku ishte automjeti tip “Volvo” me targë DO XC 500, janë bllokuar Altin Gega dhe Erjon Prengaj dhe i hedhur tek dera e makinës Volvo është konstatuar dhe një telefon iPhone.

Në drejtimin lindor është larguar me vrap djali me kutitë e picave dhe shtetasi Taulant Çoku, i cili ky i fundit është bllokuar direkt nga shërbimet e policisë.

Djali me kutitë e picave është futur mes pallateve në rrugën “Gjolek Kokona” dhe pranë një klinikë dentare, ky shtetas ka hedhur poshtë një makine të parkuar dy kutitë e picave dhe është larguar me vrap dhe ku me gjithë ndjekjen e bërë u është larguar shërbimeve të policisë.

Në njërën nga kutitë e picave është gjetur një pako me letër celefoni transparente, në formë drejtkëndëshi si tullë, brenda së cilës ka material pluhur të ngurtësuar, me ngjyrë të bardhë, të dyshuar si kokainë.