BALLKAN, 25 Korrik 2021, 20:13

Aksidenti në Kroaci, Ministri i Shëndetësisë njofton për gjendjen e të plagosurve: Një iu nënshtrua operacionit, ja si paraqitet situata për të tjerët

Aksidenti në Kroaci, Ministri i Shëndetësisë njofton


Ministri i Shëndetësisë së Kroacisë, Vili Beros ka njoftuar se gjendja shëndetësore e të plagosurve nga aksidenti tragjik mëngjesin e sotëm është e qëndrueshme.

Ai thotë se edhe ata që janë shtruar në kujdesin intensive nuk kanë shfaqur përkeqësim të situatës shëndetësore.

 “Pacientët që ishin në rrezik për jetën në njësinë e kujdesit intensiv janë ende të qëndrueshëm. Gjendja e tyre shëndetësore nuk u përkeqësua”, tha Beros.

Ministri thotë se një prej të plagosurve i është nënshtruar një operacioni në krah dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Një person është pa lëndime, ndërsa tjetri u transferua në Klinikën për Traumatologji në Zagreb dhe nuk ka nevojë për operacion, është një dëmtim i shtyllës kurrizore”, tha ministri kroat.

Beros tha se ndihma e ambasadorëve dhe përkthyesve nga Kosova që i ndihmuan ata të kontaktonin me të lënduarit, ishte shumë e rëndësishme.