SPORT, 21 Shtator 2021, 22:18

Ajaxi makineri golash, pesë gola ndaj Fortuna Sittardit

Ajaxi makineri golash, pesë gola ndaj Fortuna Sittardit

Ajaxi nuk ndalet në Eredivisie, me “Harkëtarët” që triumfuan përballë Fortuna Sittard, në transfertë me rezultatin 0-5. Skuadra e Ten Hag është një makineri perfekte golash, duke mos u ndalur edhe në javën e gjashtë të kampionatit, por perveç sulmit edhe mbrojtja tregon një formë të mirë, pasi është ndeshja e 4-t radhazi pa pësuar dhe e 5-ta në total në këtë sezon.

Dominimi i skuadrës nga Amsterdami ishte i dukshëm që në fillim në “Fortuna Sittard Stadion”, teksa goli i parë erdhi pas 11 minutash me Berghuis. Mazraoui dyfishoi pas 16 minutash, ndërsa Tadic tha fjalën e fundit në pjesën e parë në minutën e 38-të.

Pjesa e dytë i shërbeu Ten Hag për të eksperimentuar, ndërsa vendasit provuan të ndryshonin kurs, por në momentin e tyre më të mirë pësuan golin e katërt nga Kudus në minutën e 72 dhe pas 5 minutash lojë, Tagliafico shkundi portën e vendasve për herë të pestë. 19 gola në harkun e gjashtë ditëve, në dy ndeshjet e kampionatit dhe atë përballë Sporting Lisbone, duke treguar supermacinë dhe forcën e kampionëve të Holandës, që tashmë kryesojnë të e vetëm kampionatin holandez pas 6 javëve të para me 16 pikë, me 27 gola të shënuar dhe vetëm 1 të pësuar. Kundërshtari i radhës për “Harkëtarët” do të jetë Groningeni, të shtunën, për llogari të javës së 7-të, 3 ditë përpara takimit me Besiktasin.