LIFESTYLE, 10 Maj 2018, 09:56

Afër dhe larg të atit, Besa Kokëdhima do të bëhet deputete?

A do të jesh në një të ardhme deputete?” është një pyetje që Besa Kokëdhimës i është bërë shpesh kohët e fundit, nisur edhe nga reagimet e saj herë pas here për aktualitetin dhe çëshjet e nxehta politike.

Por a do ta ndjekë në të vërtetë rrugën e të atit, Koço Kokëdhimës, Besa? Vazhdimisht në intervista ajo ka thënë se “nuk di nga këto gjëra” dhe këtë ide vazhdon ta mbajë akoma. Por ndoshta diku, thellë, ekziston një shpirt revolte që kërkon të nxjerrë kokë ndonjëherë.

Megjithatë, politika dhe Besa, akoma ecin në rrugë të ndryshme. Me gjithë ndikimin e të atit, qëndrimin e tij politik, marrëveshjet dhe projektet, Besa duket akoma e palëkundur.

E ftuar sonte në Top Magazine, së bashku me Irma Libohovën, Eneda Tarifën dhe Rovena Dilon për koncertin e tyre në Pallatin e Kongreseve, Besa nuk shmangu edhe pyetjet politike, pavarësisht dëshirës për të mbetur jashtë tyre.

Në një intervistë që Koço Kokëdhima ka dhënë pak kohë më parë, tha që me Edi Ramën kishte bërë një marrëveshje: “Të bëja Besën deputete.” Por kjo pastaj nuk u realizua dhe deputeti u bë ai.

Duke e konfirmuar këtë deklaratë të të atit, Besa tha se “plani” u prish, ngaqë ajo vetë nuk kishte interes dhe akoma ka për të dhënë në muzikë, kështu që akoma nuk e mendon veten në një pozitë të atillë. Tani për tani, të paktën…

Njeriu mund të investojë në një të ardhme të caktuar. Unë nuk jam duke investuar për një të ardhmme të atillë. Madje unë besimin në politikën shqiptare e kam humbur dhe jo pa arsye dhe shpresoj shumë që në gjithë punën që im atë po bën të mbërrijë në një moment që unë të besoj se do të ndodhë një lloj çlirimi i një lloj fryme që të zë ngërç. Unë nuk dëshiroj që njerëzit të influencohen nga mendimet e mia. Këto janë mendimet e mia. Në këtë moment, mua nuk më frymëzon fare, fatkeqësisht, kjo fushë, për arsye se nuk mendoj që manifeston vlerat më të mira të këtij vendi”