AKTUALITET, 13 Korrik 2021, 11:31

Abuzimet me tenderat, Rama: 70% e institucioneve të përfshira, probleme me hartimin e kritereve. Ja sa procedura u bënë me një operator ekonomik

Abuzimet me tenderat, Rama: 70% e institucioneve të përfshira,


Pas operacioneve të fundit të realizuara nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) ku janë publikuar abuzime me tendera të ndryshëm, kryeministri Rama ka bërë një bilanc të institucioneve shtetërore mbi procedurat e ndjekura përgjatë një viti me asistim të Agjencisë së Prokurorimit Publik.

Në një takim me drejtues të ministrive dhe autoriteteve kontraktore, kreu i qeverisë tha se gjatë vitit 2020 dhe në fillim të vitit 2021, janë kryer 936 procedura ku 70% e tyre kanë pasur problematika në hartimin e kritereve.

Ai thotë se pavarësisht rekomandimeve të APP-së ndaj institucioneve, një pjesë e tyre nuk i kanë marrë parasysh duke e cilësuar si cënim i etikës shtetërore.

 “Nga të dhënat e administruara për të gjitha institucionet që lidhen me ministritë dhe agjencitë e pushtetit ekzekutiv, gjatë 2020 dhe periudhës së parë të 2021 rezulton se janë asistuar 936 procedura të publikuara. Ndër to, 70 % e procedurave ka rezultuar problematika në hartimin e kritereve. Për këtë arsye, institucioneve përkatëse u janë dërguar rekomandime nga prokurorimi publik. 20 % e institucioneve në këtë sallë nuk kanë reflektuar ndaj këtyre rekomandimeve. Rekomandimet e prokurorimit publik nuk janë të shkruar në gurë, por është e padiskutueshme që mosreagimi ndaj tyre me shkrim për të vënë në diskutim me argumente një pikë ose një tjetër, është një cënim flagrant i etikës shtetërore. Të gjithë e dimë, është sekreti më i madh publik në Shqipëri që në problematikën e prokurorimeve, armiku kryesor janë kriteret e qepura me dorë për kualifikim që ndikojnë drejtëëpërdrejtë në uljen e pjesëmarrjes” – tha kryeministri.

Sipas Ramës, nga analiza e 25 institucioneve, në 21 prej tyre, 30-40 përqind të procedurave tenderuese i kanë vetëm me një operator ekonomik.

“Në shqyrtimin e të dhënave, janë asistuar nga APP, 936 procedura dhe nga këto, mesatarja e ofertave të kualifikuara është 2.56. Nga analiza nga 25 institucione, 21 prej tyre, 30-40 përqind i kanë me nga një operator ekonomik” – tha Rama.