TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Disa thasë me qymyr u hodhën këtë të diel në hyrje të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës nga deputetë dhe anëtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në një aksion simbolik kundër moskonstituimit të Kuvendit pas zgjedhjeve të treta brenda një viti, por edhe kundër politikave energjitike të kryeministrit në detyrë Albin Kurti. Deputetë dhe anëtarë të partisë vendosën edhe një pankartë me mbishkrimin: “Kurti dhe LVV, nga terri energjetik, në terrin politik”, duke shprehur pakënaqësinë për bllokadën institucionale dhe duke kritikuar faktin që, sipas tyre, Kosova vazhdon të blejë energji elektrike nga Serbia, pavarësisht rezervave të mëdha të qymyrit.
Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, tha se simbolika e qymyrit lidhet me potencialin energjetik të Kosovës, i cili, sipas tij, nuk po shfrytëzohet.
“Duam ta dërgojmë mesazhin se me Kurtin dhe Vetëvendosjen gjatë këtyre 6-7 viteve të fundit, Kosova nga një terr energjetik që e kanë mbajtur, po kalon në terr politik. Ajo që e kemi tepër të qartë është se mesazhi dhe simbolika e qymyrit të Kosovës është se Kosova edhe më tutje po fle mbi qymyr, por rryma nuk prodhohet këtu dhe një prej pikave kryesore të ofertës gjashtë pikëshe të Aleancës lidhet me termocentralin e ri të Kosovës që duhet të bëhet. Është e qartë që gjatë këtyre viteve, rreth 1 miliard euro janë blerë rrymë në Serbi e në vende të tjera, e prej kësaj ka fituar vetëm mafia energjetike. Në kohët e fundit po shohim se punëtorët të cilët e humbin jetën duke e nxjerr këtë qymyr për popullin e Kosovës, nuk ka përgjegjësi as politike as menaxheriale”, tha Ramadani për Kosovapress.
Javën e kaluar, Kosova nënshkroi një marrëveshje për t'i shitur qymyr Maqedonisë së Veriut, veprim që u kritikua nga partitë ish-opozitare.