BALLKAN, 20 August 2026, 11:01

Apeli i fundit?! SHBA i bën sërish thirrje Kosovës, DASH: Formoni institucionet dhe tejkaloni ngërçin politik

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përsëritur thirrjen ndaj liderëve politikë në Kosovë që të bashkëpunojnë për formimin e institucioneve të reja, në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se udhëheqësit politikë duhet të punojnë së bashku për tejkalimin e krizës institucionale.

“Ky ngërç i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura për Kosovën. Është koha që udhëheqësit t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve”, deklaroi zëdhënësi.

Kjo është thirrja e dytë e ngjashme nga pala amerikane brenda pak ditësh, pasi edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë kishte bërë një apel të ngjashëm më 12 gusht.

Thirrja vjen në një kohë kur Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Seanca konstituive nisi më 6 gusht, kur deputetët bënë betimin, por procesi mbeti pezull te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.

Ndërkohë, PDK-ja dhe Aleanca kanë kërkuar vazhdimin e seancës, ndërsa LVV-ja ka insistuar në nevojën për konsultime politike.

Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje, më 18 gusht Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku zhvilluan një takim ku diskutuan edhe për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

Përveç SHBA-së, edhe Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje partive politike që të tejkalojnë sa më shpejt ngërçin institucional, duke paralajmëruar se vonesat mund të ndikojnë në përfitimin e Kosovës nga fondet dhe mbështetja evropiane.

Kosovës i janë vënë në dispozicion 882.6 milionë euro në grante dhe kredi të favorshme në kuadër të Planit të Rritjes, ndërsa qasja në këto fonde lidhet me zbatimin e reformave të përcaktuara.