AKTUALITET, 29 Nëntor 2018, 21:34

A ndikuat që zonja Kryemadhi të bëhej kryetare e LSI-së? Përgjigjet Presidenti Meta

A ndikuat që zonja Kryemadhi të bëhej kryetare e LSI-së?

A ndikuat që zonja Kryemadhi të bëhej kryetare e LSI-së? Kësaj pyetjeje i është përgjigjur Presidenti Meta në intervistën në emisionin “Opinion”.

“Nuk besoj se ka qenë e nevojshme që unë të ndikoj për një gjë të tillë. Përkundrazi ashtu siç kam bindjen që nuk ka qenë një pozitë që edhe Monika vetë e ka kërkuar apo që e ka planifikuar”, tha kreu i shtetit.

Pjesë nga intervista

Gazetari Blendi Fevziu: A ishit ju dakord që zonja Kryemadhi të bëhej kryetare e LSI-së ose a ndikuat ju që të bëhej kryetare e LSI-së?

Presidenti Meta: Nuk besoj se ka qenë e nevojshme që unë të ndikoj për një gjë të tillë. Përkundrazi ashtu siç kam bindjen që nuk ka qenë një pozitë që edhe Monika vetë e ka kërkuar apo që e ka planifikuar.

Fevziu: Po si, ia bën dhuratë? Sepse ajo kandidoi për kryetare.

Meta: Nuk besoj se në politikë bëhen dhurata të tilla, aq më tepër dhuratë për të qenë kryetar i një partie në opozitë.

Fevziu: Megjithatë për shumicën e vendimeve a është dakord me ju? Qëllon që ju konteston? Flasim për pjesën private.

Meta: Monika, në qoftë se nuk konteston nuk është më Monika, kështu që frymën kontestuese edhe rebeluese e ka pjesë të karakterit të vet që nga koha që unë e kam njohur.

Fevziu: Ka njerëz që mendojnë se ju jeni një lloj prapavije pak më e kamufluar e LSI-së apo edhe opozitës në raport me mazhorancën. Pra, që do të thotë mbani postin e Presidentit, detyroheni të respektoni detyrimet kushtetuese të Presidentit, por në thelb jeni një njeri që vazhdoni të drejtoni Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Meta: Mendoj që kjo është thjesht një përrallë, për arsye sepse kjo është jashtë dëshirës dhe vullnetit tim së pari dhe së dyti është jashtë çdo mundësie.

Fevziu: Pse është jashtë dëshirës suaj?

Meta: Sepse nuk kam asnjë dëshirë që unë të vazhdoj të drejtoj një forcë politike, në kundërshtim me vullnetin tim për të përmbushur plotësisht detyrën që unë kam pranuar si Presidenti i Republikës. Dhe së dyti, unë kam bërë gjithçka për Lëvizjen Socialiste për Integrim, nga dita e projektimit, e themelimit edhe deri në ditën e largimit zyrtar përfundimtar nga kjo forcë politike.