AKTUALITET, 9 Shtator 2021, 14:04

21 vrasjet që tronditën Kosovën, këto janë rastet më të rënda

21 vrasjet që tronditën Kosovën, këto janë rastet

Vrasja e dyfishtë që ndodhi të mërkurën mbrëma në qytetin e Pejës, ka tronditur gjithë Kosovën, ndërkaq kjo ishte pa dyshim njëra nga vrasjet më të rënda që kanë ndodhur këtë vit në vendin tonë.

Mbrëmë nga përdorimi i armës se zjarrit, kanë mbetur të vdekur kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Pejës, Astrit Ademaj dhe zyrtari i kësaj partie, Blerand Kadrijaj.

Ndërkaq, edhe sot, një ditë më pas në vendin e ngjarjes kanë dalë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj dhe Prokurorja e Rastit, Valbona Haxhosaj me një numër të madh hetuesish ku po vazhdojnë punën për zbardhjen e rastit.

Në territorin e Kosovës, sipas të dhënave që Policia e Kosovës i ka bërë të ditura për Telegrafin, vetëm gjatë këtij viti kanë ndodhur 21 vrasje, prej të cilave 9 janë cilësuar si vrasje nga Neni 172 dhe 12 janë vrasje të rënda nga Neni 173 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Më poshtë ju sjellim listën e disa prej vrasjeve që kanë tronditur Kosovën këtë vit:

Vrasja e 18-vjeçares Marigona Osmani në Ferizaj

Pasditen e së dielës, më 22 gusht 2021, para Qendrës së Emergjencës në Ferizaj, u la pa shenja jete 18-vjeçarja, Marigona Osmani, nga Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu.

Të dy u arrestuan më vonë, njëri pas disa orëve e tjetri pas dy ditëve, ndërkaq u bë e ditur më vonë se Marigona ishte torturuar dy ditë me radhë fizikisht e psiqikisht, deri në vdekje.

Vrasja që tronditi Kosovën e më gjerë, po hetohet nga prokurorët e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

Marigonës iu dha lamtumira e fundit më 24 gusht, në varrezat e Ferizajt, teksa dy të dyshuarit gjenden në paraburgim.

Mësimdhënësi vrau prindin e nxënëses në Pejë

Peja në maj të këtij i viti u trondit edhe nga një vrasje tjetër tragjike, ku mësimdhënësi kishte vrarë prindin e nxënëses së tij.

Gjithçka filloi para dy vitesh e që përfundoi me vrasje brenda një lokali në Pejë, ku i dyshuari për vrasje thuhet se kishte ngacmuar seksualisht nxënësen e tij që në atë kohë ishte vetëm 13-vjeçare.

Nxënësja në fjalë është e bija e të vrarit Gëzim Kastrati, i cili disa herë ishte kërcënuar nga i dyshuari.

I dyshuari për vrasjen Xhevdet Januzaj ishte arrestuar një ditë më pas nga policia.

Ish-bashkëshorti vrau gruan dhe bëri vetëvrasje në Emshir të Prishtinës

Një femër e moshës 44 vjeçare dhe një mashkull 44 vjeçar, më 13 mars rreth orës 09:00 u gjetën pa shenja jete në lagjen “Emshir”, në Prishtinë.

Policia e Kosovës kishtë bërë të ditur se bëhej fjalë për vrasje dhe vetëvrasje.

Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar arma e përdorur në rast, ndërsa me vendim të prokurorit trupat e pa jetë janë dërguar në IML për obduksion.

Në lidhje me këtë rast të rëndë nuk ishin bërë të ditura më shumë detaje, e as motive të vrasjes.

Motra vrau motrën në Fushë Kosovë

Një rast i rëndë i vrasjes kishte ndodhur në maj në fshatin Vragoli të Fushë Kosovës, ku një femër 33 vjeçare është gjetur e vdekur.

Prokuroria Themelore në Prishtinë është deklaruar në lidhje me krimin e rëndë ku kanë thënë se dyshohet se viktima është privuar nga jeta nga motra e saj.

Në lidhje me këtë vrasje, ishte kërkuar edhe ekzaminim psikiatrik i të dyshuarës, e cila ishte arrestuar nga Policia e Kosovës.

Vrasja e 26-vjeçarit në Klinë

Në qershor të këtij viti. Valentin Balaj 26-vjeçar është vrarë në Klinë. Sipas familjes së tij, dorasi është vëllai i vajzës me të cilën një nga vëllezërit ishte në lidhje dashurie për dy vite.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, kishte bërë të ditur se i dyshuari i vrasjes së 26-vjeçarit është ndaluar dhe ndaj të njëjtit do të kërkohet caktimi i masës së paraburgimit.

“Si pasojë e të shtënave me armë zjarri një person është privuar nga jeta. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obdukim.

Një person i dyshuar për këtë rast është arrestuar, me urdhër të prokurorit të shtetit i njëjti është ndaluar për 48 orë. Brenda afatit ligjor, ndaj të pandehurit prokurori i shtetit do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit”, tha Nikçi.

Ndërsa, policia ka njoftuar se në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një revole me katër fishekë.

Babë e djalë vriten në Gradicë të Drenasit

Një ngjarje e rëndë kishte ndodhur më 5 prill në fshatin Gradicë të Drenasit ku në vend kishte mbetur i vdekur 15 vjeçari A.M, derisa i plagosur kishte mbetur babai i tij B.M. i cili vdiq më vonë si pasojë e plagëve.

Të njëjtit dyshohet se janë gjuajtur nga fqinjët e tyre (po ashtu babë dhe bir) pas një mosmarrëveshje lidhur me malin e fshatit, por motivi i saktë i ngjarjes nuk dihet akoma.

Dy të dyshuarit për vrasjen dhe plagosjen në fshatin Gradicë të Drenasit gjendjen në paraburgim.

Ndërkaq Gjykata e Prishtinës ka njoftuar se u është caktuar masa e paraburgimit të pandehurve Xh. B. dhe A. B, të cilët nga Prokuroria dyshohen se kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe ndihma për kryerjen e vrasjes së rëndë.

Vrasja e Albert Krasniqit nga babai i tij në Prishtinë

Kryeqyteti është tronditur edhe nga një tjetër vrasje në janar të këtij viti.

Në rrugën “Ndue Perlleshi”, nga arma e zjarrit të cilën dyshohet se shkrepi babai i tij ka mbetur i vrarë Albert Krasniqi.

Krasniqi i cili ishte biznesmen i njohur në Prishtinë, dyshohej se u vra nga babai i tij, Skender Krasniqi.

Nga Policia e Kosovës, kanë konfirmuar se lidhur me rastin është arrestuar personi i dyshuar për vrasje, ndërsa kanë konfiskuar edhe një armë që dyshohet të jetë përdorur në rast, transmeton Telegrafi.

Për vrasjen e Albert Krasniqit kanë reaguar edhe shumë artistë, kjo pasi që Krasniqi kohë më parë ishte anëtari i labelit, Babastars.

Krasniqi ishte bërë i njohur për publikun edhe për martesën e tij me ish-miss Kosova, Besa Gashi, martesë kjo e cila raportohet të ketë përfunduar para disa ditësh. Krasniqi dhe Gashi nga martesa e tyre kanë një vajzë. /Telegrafi