AKTUALITET, 25 Tetor 2021, 11:41

Dyshohet se kërkoi 12 mijë euro nga familjarët e të dënuarit, GJKKO lë në burg avokatin

Dyshohet se kërkoi 12 mijë euro nga familjarët e të

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka lënë në “arrest me burg” avokatin Lavdosh Shehu, i arrestuar pak ditë më parë me urdhër të SPAK.

Avokati akuzohet nga Prokuroria e Posaçme se ka kërkuar 12 mijë euro nga familjarët e një të dënuari.

Në njoftimin e SPAK thuhet se avokati Lavdosh Shehu u ka premtuar familjarëve se do të ndërhyjë në funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë për të ekstraduar shtetasin F.H nga Italia në Shqipëri.

“Në vijim, personi nën hetim Lavdosh Shehu, ka arritur të marrë nga familjarët e të dënuarit F. H. një shumë prej 5.000 (pesë mijë) eurosh, pikërisht për realizimin e këtij ekstradimi. Kjo ngjarje ka ndodhur në vitin 2020”, thuhet ne njoftimin e SPAK.

Avokati akuzohet si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” të parashikuar nga neni 245/1 paragrafi (2) i Kodit Penal.