SPORT, 20 Tetor 2021, 12:53

Do të sfidojnë Zenitin, Alegri: Në Rusi do të luajë De Ligt, Dibala është gati për Interin

Do të sfidojnë Zenitin, Alegri: Në Rusi do të luajë De

Masimiliano Alegri niset pa frikë drejt Rusisë, duke parë edhe rikthimin e rëndësishme të Juventusit në muajin e fundit.

Pas pesë fitoresh radhazi (4 në kampionat dhe me Çelsin në Champions), “Zonja e Vjetër” më në fund ka një marsh të rëndësishëm dhe, pse jo, me një tjetër sukses në Shën Pjetërburg, kundër Zenitit, do të hipotekohej edhe kalimi për në 1/8-at e Ligës së Kampioneve.

“Në Champions kemi pasur një hap më të mirë sesa në kampionat, por tani dua që ta ruajmë atë, edhe pse në Rusi do të jetë mjaft e vështirë. Zeniti është një skuadër me lojtarë shumë teknikë në mesfushë e në sulm.

Janë një ekip me shumë eksperiencë në Europë, por sivjet bëjnë vërtet një futboll të bukur.

Në Londër kundër Çelsit bënë një ndeshje fantastike në aspektin ofensiv, prandaj ne duhet të jemi të fortë dhe cinikë në sulm, nëse duam që të marrim një rezultat pozitiv, për të pasur mundësinë që të avancojmë të qetë më tej”.

Lidhur me zgjedhjet në formacionin e sotëm, trajneri i Juventusit jep disa indicie: “De Ligt është rikuperuar plotësisht dhe do të luajë nga minuta e parë së bashku me Bonuçin. Nuk do ta rrezikoja kurrë Matajsin nëse nuk do të ishte gati, pasi Rugani ishte në dispozicion.

Po Arturi e Morata si janë? Ju doni të gërmoni, por po ju shtoj se përveç De Ligtit e Bonuçit, dy emra të tjerë të sigurt për minutën e parë janë edhe Morata dhe Shezni. Për të tjerët nuk di çfarë të them, se nuk kam vendosur. Ah po, edhe Sandro mund të jetë nga minuta e parë, por e rëndësishme është që kemi rikuperuar mjaft lojtarë.

Nëse doni, po ju them se edhe Dibala po punon shumë mirë dhe mund ta them me siguri se do të jetë në fushë kundër Interit, – vazhdoi Alegri, i cili lidhur me rikthimin e fortë të Juves nënvizoi.

– Më vjen të qesh kur thonë se po shihet skuadra e Alegrit. Unë stërvis Juven dhe lojtarët fantastikë që më ka vënë në dispozicion klubi.

Detyra ime është që t’i stërvis dhe t’i bëj ata që të jenë gjithmonë gati për të luftuar për këtë fanellë”, përfundoi trajneri.