Duhej një fitore ndaj Hungarisë (1-0), për të mbajtur gjallë ëndrrën “Katar 2022” dhe e bëmë sërish falë Armando Brojës, që ashtu si në “Elbasan Arena”, edhe në Budapest erdhi nga stoli për të bërë lëmsh mbrojtjen hungarez dhe për të dërguar topin në rrjetë.
Shqipëria e Rejës bind sërish dhe rregullon bilancin ndaj një Hungarie, që na kishte mposhtur gjithmonë, por atëherë nuk luante Armando Broja, i cili ka shënuar dy golat e vetëm në histori, në portën maxhare, duke na dhënë një tjetër 3-pikësh, që na mban në vendin e dytë me 15 pikë.

Kuqezinjtë bëjnë një ndeshje mjaft të mirë e me autoritet në “Puscas Arena” dhe i shkuan shumë pranë golit me Myrto Uzunin dy herë dhe Klaus Gjasulën në pjesën e dytë, por pa rezultat deri kur trajneri Reja vendos të freskojë sulmin me aktivizimin e Manajt dhe Brojës.
Pikërisht sulmuesi i Southmptonit në Premier League bën gjithçka në mënyrë perfekte në minutën e 80′, duke dribluar këdo që gjen përpara dhe duke dërguar topin në rrjetë, nga një kënd gati-gati i pamundur.
Në një mbrëmje mjaft të rëndësishme, që u komplikua nga dëmtimi i pafat i Berat Gjimshitit, kuqezinjtë tregojnë sërish vlerat në fushë dhe marrin një fitore historike, që do të marrë edhe më shumë kuptim, nëse shoqërohet me 3 pikë të tjera ndaj Polonisë në martën në “Air Albania”.

NDESHJET E SOTME DHE RENDITJA E GRUPIT I


KRONIKA E NDESHJES
Hungari-Shqipëri 0:1
Broja 80′
Kronika e ndeshjes:
90’+6 Përfundon sfida në “Puscas Arena” me Shqipërinë që triumfon 0-1 falë golit të Brojës dhe ruan vendin e dytë në grup.
86′ – Ka minuta edhe për Balliun, që merr vendin e Trashit
80′ – Gooooooooool. Armando Brojaaaaaaaa. Sërish ai që shënon në portën e hungarezëve dhe sërish një gol i mrekullueshëm. Driblime fantastike, hyrje në zonë dhe më pas një goditje nga një kënd zero, që ndalet në rrjetën e portës së Gulacsit.
74′ – Shtylla shpëton Berishën dhe Shqipërinë. Vendasit kërcënojnë me një goditje dënimi, por ndonëse me portën e boshatisur, gjejnë vetëm shtyllën e portës së kuqezinjve, ndërsa më pas Manaj largon rrezikun.
73′ – Ndëshkohet edhe Lorenc Trashi për një ndërhyrje të ashpër me takë
66′ – Reja freskon sulmin. Largohen Cikalleshi e Uzuni, për t’u lënë vendin Brojës dhe Manajt
65′ – Sërish mundësi ideale për kuqezinjtë. Cikalleshi depërton bukur dhe shërben për Trashin, i cili kroson bukur në zonë për Uzunin, që gjuan me kokë nga brenda zonës së 5-metërshit, por dërgon topin në duart e portierit Gulacsi.
61′ – Ndëshkohet edhe Gjasula për një faull taktik në mesfushë
58′ – Rast i Artë për Shqipërinë. Uzuni niset i vetëm me portierin dhe pasi arrin në hyrje të zonës, gjuan, por Gulacsi grushton në këndore. Sulmuesi beratas shpërdoron një tjetër mundësi perfekte shënimi. ndërkohë nga goditja e këndit, topi shkon te Trashi, që provon të majtën, por pak mbi kuadrat.
51′ – Veseli rikuperon me fat një top në zonën kundërshtare dhe e dërgon te Cikalleshi, që provon kthesën e menjëhershme, por sfera përplaset në trupin e një mbrojtësi hungarez dhe del nga zona.
46′ – Rast i rrezikshëm për Hungarinë, që zbret rrezikshëm nga e majta. Shërbehet mirë Salloi në qendër të zonës dhe kthen menjëherë, por topi përfundon jashtë, ngjitur me shtyllën e Berishës.
PËRFUNDON PJESA E PARË: 0-0
45’+3 – Çekiçi fiton një goditje dënimi nga një pozicion mjaft i mirë dhe gjuan po vetë, por topi devijohet në murin mbrojtës dhe përfundon në këndore.
45’+1 – Çekiçi bën një ndërhyrje të rrezikshme dhe bëhet i pari i ndëshkuar, duke humbur kështu edhe ndeshjen e ardhshme ndaj Polonisë në Tiranë.
28′ – Nuk ia del Gjimshiti, që del nga fusha me ndihmën e barelës, ndërsa në vendin e tij zbret në fushë Federik Veseli.
26′ – Moment fatkeq për kuqezinjtë. Berisha del nga porta për të zotëruar një top, por përplaset me Ismajline Gjimshitin dhe duhet ndërhyrja e mjekëve për t’u dhënë ndihmën e parë.
20′ – Tjetër zbritje e rrezikshme e vendasve, që përfitojnë nga një vendosje e gabuar e mbrojtjes kuqezi dhe shërbejnë për Salloi, por Ismajli bën një ndërhyrje vendimtare, duke na larguar rrezikun në momentin e fundit.
10′ – Bare rikuperon mjaft bukur një top në gjysmëfushën hungareze dhe niset në një kundërsulm të rrezikshëm 3 kundër 3, por tregohet egoist dhe injoron Cikalleshin, i cili ishte në pozicion goli. Shpërdorojmë një rast mjaft të mirë shënimi.
1’Starton sfida në “Puscas Arena” me kuqezinjtë që luajnë topin e parë.




