SPORT, 6 Tetor 2021, 10:03

“Finalja e vitit 2012 më djeg deri në palcë”, Kielini do hakmarrjen: Po e shijoj pleqërin, njësoj si Ibra

“Finalja e vitit 2012 më djeg deri në palcë”, Kielini

Xhorxho Kielini, ashtu si trajneri i tij, duket se kanë një llogari të hapur me Spanjën, por për kapitenin e Italisë kjo ndeshje vlen shumë herë më shumë, duke kujtuar humbjen turpëruese që pësuan nga “Furia e Kuqe” në finalen e Europianit 2012, me rezultatin 4-0. Prandaj, në konferencën e tij për shtyp nuk kishte se si të mungonte ky mendim, në pritje të duelit me iberikasit:

“Sa herë që gjej përballë Spanjën, mendimi im është një i vetëm. Humbja në ‘Euro 2012’ është një plagë e madhe ende, pasi na mundën keq. Për mua kjo dhimbje shkon deri në palcë, prandaj nëse ka një skuadër ndaj së cilës nuk dua të humb më në vazhdimësi, ajo është pikërisht Spanja.

Sigurisht që e respektojmë, por eliminimi nga ‘Euro 2020’ nuk më mjafton. E dimë që janë një skuadër shumë e fortë, siç na e treguan në ‘Uembli’, por ne duhet të bëjmë një ndeshje tjetër kundrejt asaj të korrikut që lamë pas. Duhet të interpretojmë më ndryshe shumë situata të lojës, pasi vetëm kështu mund të fitojmë, – vazhdon Kielini, i cili i pyetur mbi faktin se ku e gjen ende këtë ego në pleqëri, njësoj si Zlatan Ibrahimoviçi, “King Kongu” përgjigjet.

– Unë, Ibra i mbrojtësve? Të luaj deri në 40 vjeç si Zlatani nuk e di nëse do të ndodhë. Pastaj Ibra është Ibra dhe ta lëmë rehat, pas ditëlindjes që festoi. Ndonëse, edhe unë ashtu si ai po e shijoj shumë pleqërinë në fushë dhe stimujt realisht që më janë rigjeneruar pas fitores në Londër. Tani dua të vazhdoj të shijoj momentin dhe pa dyshim që të jap më të mirën time. Nuk kam një datë për t’u tërhequr, dua vetëm të vazhdoj të luftoj dhe të jem sa më mirë fizikisht”.

Në fund, si kapiten i futbollit të Italisë dhe një prej lojtarëve veteranë në Serinë A, Xhorxho Kielini e ka dënuar racizmin ndaj Kulibalisë në Firence: “Më erdhi turp që jam italian, kur pashë ato skena ndaj Kalidusë. Kulibali dhe askush tjetër nuk meriton të vuajë ato gjëra. Unë jam i bindur se Italia nuk është një vend racist, ndaj kushdo që bën gjeste të tilla, të dënohet sa më rëndë”.