AKTUALITET, 6 Tetor 2021, 18:56

Berisha: Basha dhe Rama në Lubjanë si pengu me pengmarrësin

Berisha: Basha dhe Rama në Lubjanë si pengu me pengmarrësin

Nga ‘Foltorja’ e Gjirokastrës, ish-Kryeministri Sali Berisha, hodhi sërish akuza për bashkëpunim në adresë të Lulzim Bashës dhe kryeministrit Edi Rama.

Dhe për këtë ai iu referua vizitës së Ramës dhe Bashës në Lubjanë, ndërsa vetë Berisha udhëtonte drejt jugut për takimin me demokratët e Gjirokastrës.

“Duke ardhur në Gjirokastër në mëngjes, shoh titujt e gazetave, “Basha dhe Berisha në Lubjanë, Berisha në Gjirokastër. U ndjeva një mijë hjerë i lehtësuar, ata shkojnë si pengu me pengmarrësin, unë vij si njeri i lirë tek ju. Kënaqësia ime e madhe ishte kjo”, tha Berisha.

Ai akuzoi Bashën se ka frikë nga vota dhe se tradhtoi opozitën pas 25 prillit.

“Ne mblidhemi në një kohë kur Lulzim Basha në tetë vite, e udhëhoqi PD-në nga disfata në disfatë. Nga dështimi në dështim. Kurrë nuk qe në gjendje kurrë të kurorëzojë me sukses një nismë, përveç dekriminalizimit. Mori vendimet më absurde.

Vijmë kur në zgjedhjet e 25 prillit, pas këtij seriali dështimesh, ai deklaroi se kjo ishte një masakër zgjedhore. Unë isha i bindur që Edi Rama plaçkiti vota më shumë se kurrë në këto zgjedhje, por ne nuk i fituam zgjedhjet, por detyrë tani dilte që ne të bënim gjithccka për ta vënë Edi Ramën në sanksione për ato që bëri. Kryetari në vend që të merrej me mundin dhe djersën tuaj, u mor me karrigen e tij, i harroi të gjitha.

Dhe ne vijmë sot këtu jo vetëm si opozitë e vjedhur dhe e plaçkitur nga Edi Rama por edhe si opozitë e tradhtuar nga Lulzim Basha sepse ai nuk flet më as për masakër as për vote dhe as për asgjë.

Pse? Sepse ai ka tmerr nga vota. Në historinë e Shqipërisë do të mbahet mend si njeriu me frikën nga vota më të lartë se kushdo tjetër. Që në këtë moment s’ke të bësh me ne. Ne jemi njerëz të votës së lirë, ne i besojmë votës së lirë. ADN-ja jonë politike është vota e lirë”.