AKTUALITET, 4 Tetor 2021, 12:28

Si ndryshon sistemi i ri gjyqësor sipas hartës së propozuar nga KLGJ! Ambasada amerikane jep mbështetjen: Plotësimi i hapësirave të krijuara nga vetingu është hap i nevojshëm

Si ndryshon sistemi i ri gjyqësor sipas hartës së propozuar nga

Ambasada amerikane deklaron se plotësimi i boshllëqeve të krijuara nga vetingu është një hap tjetër i nevojshëm për Reformën në Drejtësi dhe për vijimin e këtij procesi në Shqipëri.

Përmes një mesazhi në rrjete sociale, Ambasada shkruan se kjo duhet të jetë një përparësi dhe Shqipëria do të ketë mbështetjen e plotë për miratimin e një harte të re gjyqësore për të riorganizuar sistemin gjyqësor. Gjithashtu, SHBA do të mbështesë Shqipërinë përmes projekteve për të përmirësuar efikasitetin në Gjykatën e Lartë për përmbushjen e vakancave.

“Plotësimi i hapësirave të krijuara nga vetingu është një hap tjetër i nevojshëm në procesin e Reformës në Drejtësi dhe duhet të jetë prioritet. Ambasada amerikane mbështet fuqimisht miratimin e një harte të re gjyqësore për të riorganizuar sistemin gjyqësor dhe për të adresuar vendet vakante gjyqësore që erdhën si rezultat i procesit të nevojshëm në Shqipërinë të vetingut.

Takimi i kësaj jave i Grupit të Punës Ndërinstitucional për Hartën e Re Gjyqësore shfaqi përparim të madh drejt një konsensusi që do t’u sigurojë qytetarëve të Shqipërisë një sistem gjyqësor funksional, efikas dhe të hapur.

Ambasada amerikane ka kënaqësinë të sigurojë mbështetje teknike për këtë proces të rëndësishëm përmes projektit tonë për zvogëlimin e numrit të çështjeve të prapambetura dhe përmirësimin e efikasitetit në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë, të financuar nga Byroja e Departamentit të Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit”, shkruan Ambasada amerikane.

Ndryshimi i hartës së sistemit gjyqësor në vend ka hasur në diskutime dhe debate për sa i përket pyetjes nëse ajo e lehtëson apo vështirëson aksesin e qytetarëve në marrjen e shërbimeve. Harta e re e propozuar nga KLGJ gati një vit më parë parashikon që nga 34 gjykata sa janë aktualisht, të bëhen 15 të tilla.

Konkretisht, sipas propozimit, sistemi gjyqësor aktual që ka në përbërje 22 gjykatat e rretheve gjyqësore me juridiksion të përgjithshëm, 6 gjykatat administrative të shkallës së parë dhe 6 gjykatat e apelit me juridiksion të përgjithshëm, të bëhet në 12 gjykata me juridiksion të përgjithshëm, 2 gjykata administrative në shkallë të parë dhe 1 gjykatë apeli.

Deri tani ka përfunduar pak më shumë se gjysma e procesit të vetingut,pasi gati gjysma e anëtarëve të sistemit nuk e kanë kaluar procesin e vlerësimit në të tria llojet e vlerësimit. Së fundmi, Ministria e Drejtësisë është bërë pjesë e grupit të punës për rishikimin të projektit të hartës së re gjyqësore nga një grup i posaçëm pune. Vetë ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, deklaroi se sapo propozimi të paraqitet në institucionin që ai drejton do të vijojë puna për implementimin e saj.

“Sigurisht që miratimi i hartës së re gjyqësore nuk është proces i lehtë. Duhet të kemi një hartë të re gjyqësore që i vjen në ndihmë plotësimit të vakancave në sistemin gjyqësor, por pa cenuar aksesin e qytetarëve te shërbimet gjyqësore. Qëllimi im është të ofrojmë shërbime gjyqësore atje ku sot i kemi gjykatat. Pra, thelbi i hartës për atë që jemi duke diskutuar dhe me Këshillin e Lartë Gjyqësor është përqendrimi i trupës gjyqësore”, tha Manja.

I pyetur nëse ai ishte për 3 apo një gjykatë apeli në rang kombëtar, ministri i Drejtësisë u përgjigj:

“Ne do të shkojmë drejt variantit që do të ofrojmë shërbime gjyqësore atje ku janë sot”.

Sipas vlerësimeve para fillimit të procesit të vetingut, Shqipëria kishte rreth 12 gjyqtarë për 100 mijë banorë, ndërsa tani numri i tyre është më i vogël. Sipas Komisionit Europian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ), mesatarja europiane është 21 gjyqtarë për 100 mijë banorë.

Zgjatja e mandateve të KPK dhe KPA kërkon bashkëpunim mes PD-PS

Zgjatja e mandatit të institucioneve të reja të drejtësisë mund të bëhet vetëm me ndryshime në Kushtetutë që kërkojnë bashkëpunimin e qeverisë me opozitën.

Institucioneve që kryejnë rivlerësimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve u përfundon mandati në qershorin e vitit 2022, kohë që është cilësuar e pamjaftueshme për të përfunduar procesin e vetingut. Për të arritur deri te ndryshimet kushtetuese, socialistëve iu duhet me patjetër të bashkëpunojnë me demokratët në Kuvend për të përmbushur një nga kriteret e Reformës në Drejtësi.

Maxhoranca ka 74 vota, ndërsa 3 mund t’i sigurojë nga PSD-ja, por për një gjë të tillë nevojiten 94 vota, duke e bërë bashkëpunimin e qeverisë me opozitën të pashmangshëm.

PS ka nisur punën për përgatitjen e bazës ligjore që do të sigurojë shtyrjen e afateve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe vazhdimin e procesit të vetingut.

Më 20 shtator në mbledhjen e kryesisë së Grupit të PS-së, kreu i Grupit Parlamentar, Taulant Balla, iu kërkoi socialistëve të nisin menjëherë punën për ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e procesit të vetingut.

“Të fillojë puna për ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e procesit të vetingut”, porositi Balla në mbledhjen me dyer të mbyllura. Sipas ministrit të ri të Drejtësisë, Ulsi Manja, ideja e shumicës është që mandati të zgjatet deri në përfundim të të gjithë procesit të rivlerësimit. Së fundmi, Manja ka deklaruar se puna ka nisur, madje për këtë ka bashkëpunim edhe me opozitën, që sipas tij, shumë shpejt do të dërgohet në Parlament.

“Sigurisht që kanë nisur. Jemi në konsultim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë që kanë asistuar Reformën në Drejtësi që ditën e parë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Ju e patë qëndrimin e ambasadorit Soreka, kështu që në ditët në vijim do të kemi edhe materializimin e nismës konkrete në Kuvend”, tha ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja. Deri tani, sipas të dhënave të publikuara 5 vite nga nisja e Reformës në Drejtësi, procesi i vetingut ka arritur në gjysmën e tij. Në 5 vite, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë në total 421 vendime për gjyqtarë dhe prokurorë.

Largimi i tyre nga sistemi i drejtësisë ka qenë i madh për shkak se ata nuk kanë kaluar qoftë edhe një nga kriteret e vlerësimit. KPK-ja ka dhënë 174 vendime për konfirmimin në detyrë, 155 vendime për shkarkimin nga detyra dhe 56 vendime për ndërprerje procesi pas dorëheqjeve të subjektit të rivlerësimit, ndërsa rreth 400 të tjerë pritet t’i nënshtrohen këtij procesi. Ndërkohë, edhe Klotilda Bushka, kryetarja e re e Komisionit të Ligjeve, njëherësh deputete e PS-së, deklaroi se maxhoranca i ka bërë një ofertë të sinqertë për bashkëpunim opozitës.

Gjatë një interviste televizive, Bushka tha se vetëm gjysma e emrave që janë në listat e vetingut e kanë kaluar këtë proces, ndërsa shtoi se PS do të kërkojë zgjatjen e mandatit të anëtarëve të KPK-së dhe të komisionerëve publikë për të përfunduar këtë proces.

Deri tani nuk kemi asnjë qëndrim zyrtar nga ana e Partisë Demokratike për këtë çështje, ndërsa PS kërkon që mandati të zgjatet deri në përfundimin e procesit të vetingut.