SPORT, 24 July 2026, 21:11

Zyrtare/ Napoli shet Luis Hasën, mesfushori i Kombëtares kuqezi transferohet te Frosinone

Luis Hasa, mesfushori i grumbulluar së fundmi nga trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, ka një skuadër të re. Napoli ka zyrtarizuar transferimin përfundimtar të 22-vjeçarit te Frosinone, ekipi i sapongjitur në Serie A.

I lindur në Itali, Hasa ka përfaqësuar të gjitha grupmoshat e kombëtares italiane, përpara se të zgjidhte Shqipërinë. Në qershor të vitit 2026 ai debutoi me Kombëtaren shqiptare, duke u bërë pjesë e projektit kuqezi nën drejtimin e trajnerit Rolando Maran.

Mesfushori është produkt i akademisë së Juventusit. Pas përfundimit të aventurës me bardhezinjtë, ai u transferua te Lecce, ndërsa në janar të vitit 2025 firmosi me Napolin.

Sezonin e kaluar, Hasa luajti në formë huazimi te Carrarese në Serie B, ku zhvilloi 31 ndeshje, shënoi pesë gola dhe regjistroi katër asistime, duke qenë një nga lojtarët më të spikatur të skuadrës.

Megjithatë, pavarësisht paraqitjeve pozitive në kategorinë e dytë, 22-vjeçari nuk arriti të debutonte asnjëherë me fanellën e Napolit në Serie A. Transferimi te Frosinone i hap tani rrugën mundësisë së parë për të luajtur në elitën e futbollit italian.

Së bashku me Luis Hasën, Napoli zyrtarizoi edhe largimin e Alessio Zerbin, i cili gjithashtu do t'i bashkohet Frosinones.