TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

E ardhmja e Kristjan Asllanit te Interi vazhdon të jetë në pikëpyetje. Mesfushori i Kombëtares shqiptare mbetet një nga emrat që mund të largohet nga skuadra zikaltër gjatë kësaj merkatoje, ndërsa drejtuesit e klubit po shqyrtojnë mundësitë për një transferim të mundshëm. Pavarësisht zërave për largimin, trajneri Kristian Kivu i dha minuta shqiptarit në miqësoren e parë të fazës përgatitore, ku Interi fitoi me rezultatin e thellë 16-0 ndaj skuadrës gjermane SV Asen.
Ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen ishte pozicioni i Asllanit në fushë. Ndryshe nga roli i tij natyral në mesfushë, tekniku rumun e aktivizoi si qendërmbrojtës në pjesën e parë të ndeshjes, duke testuar aftësinë e tij për të ndërtuar lojën nga prapavija.
Sipas mediave italiane, bëhet fjalë për një provë taktike të Kivus, i cili kërkon që mbrojtësit e tij të kenë cilësi në qarkullimin e topit. Megjithatë, ky eksperiment nuk konsiderohet si një sinjal se Asllani do të ketë një rol të ri në skuadër.
Raportimet në Itali vijojnë të theksojnë se mesfushori shqiptar mbetet në listën e lojtarëve që mund të largohen para mbylljes së merkatos, ndërsa Sasuolo është opsion. Interi synon të gjejë një zgjidhje përfundimtare për kartonin e tij, ndërsa interesi nga klube të tjera nuk mungon. Për momentin, Asllani vijon të stërvitet me grupin dhe po shfrytëzon fazën përgatitore për të bindur Kivun, ndërsa e ardhmja e tij pritet të qartësohet në javët e ardhshme.