TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ylli Zalla, një prej personave më të kërkuar nga Policia është arrestuar pas një operacioni të zhvilluar nga Policia dhe forcat speciale RENEA në zonën e Fushë-Krujës.
Zalla ishte fshehur në një banesë tjetër, në afërsi të shtëpisë së tij në fshatin Zallë të Fushë-Krujës. Në momentin e arrestimit, ai ka qenë i armatosur me një kallashnikov dhe fishekë.
Ndërkohë ministri i Brendshëm ka publikuar edhe pamjet e arrestimit të tij.
Arrestimi i tij vjen pas disa operacioneve të zhvilluara gjatë muajve të fundit për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Ylli Zalla ishte shpallur në kërkim që prej nëntorit 2025, pas zbulimit të një arsenali armësh në ambiente të lidhura me të, gjatë hetimeve të zhvilluara pas atentatit në Rinas, ku u vranë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani.
Në muajt pasues, autoritetet kanë zhvilluar disa kontrolle dhe operacione për kapjen e tij. Në një prej tyre, policia gjeti një tjetër arsenal armësh, ndërsa Zalla arriti t’u shpëtonte forcave të rendit.
Në operacionin e qershorit, në banesën e tij u gjetën gjithashtu municione dhe pajisje të tjera, ndërsa u arrestua një 55-vjeçar!
Një ditë më parë, atij iu vendos tritol në banesë, çka bëri që makina e tij, tip ‘Benz’, të shkrumbohej.
Për ngjarjen e një dite më parë, policia u njoftua nga bashkëshortja e Zallës që ndodhej në Itali, ndërsa mbetet e hapur pista që autori të jetë vetë ai. Por në një video, 49-vjeçari mohoi që të ishte ai personi që kishte vendosur tritolin me qëllim azilin politik, teksa akuzoi Policinë dhe bandat e krimit të organizuar se po përpiqen ta vrasin.
“Unë Ylli Zalla në nëntor 2025 vjen Policia e Shtetit më akuzon për lidhjen e Rinasit. Hyjnë makina, dalin makina. Pa ekspertizë e pa asnjë lloj prove më ngatërrojnë me bandat. Kalojnë disa muaj dhe gjejnë armatim, Ylli Zalla s’ka armatim. Pas kësaj, në qershor 2026, në datën 22 më vijnë Policia e Shtetit pas shtëpie me më vra vdek e në tokë. Unë jam hallexhi, kam fëmijët pa bukë. Ja çfarë më ka bërë mua Policia e Shtetit. Unë dyshoj te Policia dhe bandat. Gazetarët flasin kot, thonë kërkon azil. Unë nuk kërkoj azil, nuk largohem nga prona ime”, tha ai.
Më 20 shkurt të këtij viti, Zallës iu gjet një arsenal armësh me të cilat dyshohet se furnizonte grupet kriminale. Edhe në një operacion në mars, në oborrin e banesës së tij u gjet një sasi municioni luftarak dhe 14 fitila zjarrpërcjellës.
12 vjet më parë Zalla është arrestuar për po të njëjtën vepër penale, prodhim të bombave artizanale, dhe i përfshirë edhe në prodhim dhe shitje droge. Në atë kohë dyshohej për lidhje me grupin ISIS për rekrutime të shqiptarëve për xhihad.
Njoftimi i Ministrisë
Përgëzime Policisë së Shtetit për finalizimin me sukses të operacionit policor “Fundi i Arratisë”, për kapjen e një personi shumë të kërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Operacioni u zhvillua nga Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, strukturat operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Krujë.
Gjatë operacionit, në Krujë, u kap personi shumë i kërkuar Ylli Zalla, i cili i shmangej drejtësisë dhe tashmë është arrestuar nga Policia e Shtetit.