AKTUALITET, 16 Janar 2020, 17:48

Zgjedhjet në Serbi, partitë shqiptare në Preshevë bëhen bashkë

Zgjedhjet në Serbi, partitë shqiptare në Preshevë bëhen

Përfaqësuesit politikë nga partitë shqiptare të Luginës së Preshevës do të bëhen bashkë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi. Ky bashkim u prezantua ditën e sotme nga ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj i cili priti në një takim, në Tiranë këta aktorë politikë.

Cakaj shpjegoi se kjo listë, e cila bazohet në parime të qarta programore, do të quhet “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”. Nëpërmjet marrëveshjes së nënshkruar, për herë të parë, Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshim, Partia Demokratike, Lëvizja Reforma në PDSH dhe Lëvizja e Progresit Demokratik, do të veprojnë me një program, sa herë do të jenë në pyetje parimet kombëtare dhe çështja e Luginës së Preshevës. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje shënon bashkimin e palëve për të siguruar një përfaqësim sa më të lartë dhe për të krijuar një pozicion sa më të fuqishëm prej zgjedhjeve parlamentare në Serbi.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Cakaj vlerësoi arritjen e kësaj marrëveshjeje ndërsa sa i takon funksionit që do të ketë kjo marrëveshje ai shtoi se lista do të ketë në fokus ngritjen e shqetësimeve me të cilat përballen shqiptarët e Luginës, duke filluar nga arsimi në shqip, përdorimi i lirë e i hapur i simboleve kombëtare, si dhe rritja e përfaqësimit në institucionet shtetërore.”