BOTA, 25 July 2026, 21:53

Zelensky ngre alarmin: Rusia po përgatitet të marrë 30 mijë trupa nga Koreja e Veriut

zelensky3

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Rusia po përgatitet të marrë rreth 30 mijë trupa të tjera nga Koreja e Veriut, si dhe lëshues shtesë për raketa balistike.

Sipas Zelenskyt, përgatitjet për marrjen e trupave të reja nga Koreja e Veriut kanë nisur që prej muajit qershor në rajonin Voronezh të Rusisë.

“Rusia dëshiron të marrë 30,000 trupa të tjera nga Koreja e Veriut. Që nga qershori, në rajonin Voronezh të Rusisë kanë filluar përgatitjet për t'i marrë ato. Koreja e Veriut po përgatitet gjithashtu të transferojë lëshues shtesë për raketa balistike në Rusi”, deklaroi Zelensky.

Presidenti ukrainas tha gjithashtu se Moska po ndihmon Korenë e Veriut të përmirësojë aftësitë e saj ushtarake, duke e mësuar atë se si të zhvillojë luftë dhe të avancojë armët e saj.

Sipas tij, kjo përbën një kërcënim jo vetëm për Ukrainën, por edhe për vendet aziatike që ndodhen brenda rrezes së raketave të Koresë së Veriut.

“Ne po përgatitemi ta kundërshtojmë këtë”, u shpreh Zelensky.

Ai paralajmëroi gjithashtu se Rusia po përgatitet për një zgjerim të mobilizimit gjatë vjeshtës, duke thënë se inteligjenca ukrainase ka siguruar të dhëna mbi planet e Moskës.

“Ne kemi raporte të detajuara të inteligjencës mbi planet e Rusisë për vjeshtën. Ajo që mungon në planet e Rusisë është paqja”, tha Zelensky.

Sipas tij, presidenti rus Vladimir Putin po hedh themelet për një mobilizim të ri, ndërsa shifrat e humbjeve në front tregojnë përmasat e luftës.

Zelensky deklaroi se në më pak se shtatë muaj të këtij viti, rreth 221 mijë persona i janë bashkuar forcave të armatosura ruse, ndërsa humbjet ruse gjatë së njëjtës periudhë, sipas tij, kanë arritur në rreth 225.500 persona, prej të cilëve 131 mijë të vrarë dhe pothuajse 93 mijë të plagosur.

Ai shtoi se një pjesë e konsiderueshme e të plagosurve kanë pësuar dëmtime të rënda për shkak të gjendjes së dobët të kujdesit mjekësor rus në vijën e parë të frontit.

Sipas presidentit ukrainas, Putini po përgatitet të dërgojë më shumë ushtarë rusë në luftë, duke e mbuluar këtë me deklarata dhe sinjale të ndryshme politike.

“Është e rëndësishme që ne, së bashku me partnerët tanë, të ushtrojmë presion të mjaftueshëm mbi Rusinë për të siguruar që mendimet për t’i dhënë fund këtij agresioni të mbizotërojnë – mendimet për paqe, jo mobilizimi shtesë rus”, përfundoi Zelensky.