AKTUALITET, 5 Shkurt 2018, 08:42

Zbulohet shifra që shtetasi grek mori për të ekzekutuar Devi Kasmin

Zbulohet shifra që shtetasi grek mori për të ekzekutuar Devi

Ish-efektivi i Policisë greke, Efthymiou Efthymious, i cili është arrestuar si ekzekutues i porosisë për vrasjen e Devi Kasmit, dyshohet se është paguar rreth 25 mijë euro për “punën” e kryer.

Burime nga grupi i hetimit thonë se në banesën ku qëndronte shtetasi grek, u gjet një sasi eurosh dhe lekësh, të cilat bashkë bëjnë 25 mijë euro. Kjo ka ngritur dyshime se greku është paguar në këtë shumë nga porositësit e vrasjes për të kryer atentatin ndaj Devi Kasmit.

Gjithashtu, saktësohet nga të njëjtat burime se greku kishte disa ditë që e ndiqte Kasmin dhe me të ishte ballafaquar para se të ndodhte atentati mafioz. Kasmi e ka parandier rrezikun, megjithëse nuk mundi dot t’i shmangej atentatit. Tashmë, çështja e vrasjes së Kasmit po hetohet edhe nga Prokuroria e Tiranës, por edhe nga ajo e Krimeve të Rënda, pasi kemi të bëjmë me grup të strukturuar kriminal.

Vetë 41- vjeçari grek i ka mohuar akuzat për vrasjen duke pretenduar se në Shqipëri kishte ardhur vetëm si turist. Mirëpo, hyrja e tij në Shqipëri nuk figuron të jetë regjistruar në sistemin TIMS, çka ngre dyshime se greku ka hyrë si klandestin në Shqipëri. Kjo ka bërë që dëshmia e tij të rrëzohet dhe të mos merret si bazë për ndryshim mase.

Nga ana tjetër, si provë tjetër të rëndësishme, grupi hetimor ka edhe veshjet që ai dyshohet se ka përdorur natën e krimit, pistoletën tip “Glock” si dhe disa pamje filmike para dhe gjatë atentatit.

Për vrasjen e Devi Kasmit dyshohet se organizator ka qenë shtetasi Aurel Hoxhallari, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që porositësi të ketë qenë Domart Konjari, që është ende në kërkim nga autoritetet shqiptare që pas lirimit nga Apeli i Krimeve të Rënda, kur ai u arrestua për llogari të drejtësisë franceze.