BALLKAN, 15 Korrik 2018, 13:27

Zbulohet plani, rusët punuan për të rrëzuar Aleksis Tsipras

Zbulohet plani, rusët punuan për të rrëzuar Aleksis Tsipras

Zbulohet plani rus për të rrëzuar qeverinë e Aleksis Tsipras. “Financial Times” shkruan se rusët e dëbuar nga Greqia në fillim të kësaj jave synonin rrëzimin e qeverisë, me qëllimin e vetëm të mos lejojnë marrëveshjen për emrin e ri të Maqedonisë.

Rrjedhimisht për të penguar futjen e Maqedonisë në NATO. “Financial Times” shkruan se shërbimet sekrete ruse e kishin shndërruar Aleksandropolin, një qytet në verilindje të Greqisë, në vatrën e aktivitetit për zgjerimin e influencës së Moskës në Europën Juglindore.

Dy diplomatët e dëbuar dhe dy shtetas të tjerë rusë, të cilëve iu ndalua hyrja në Greqi ishin përpjekur të korruptonin 3 deputetë të “Grekëve të Pavarur”, aleati i dytë më i madh i koalicionit qeverisës. Ata synonin të ushtronin influencë edhe mes klerit ortodoks dhe grupeve radikale të djathta.

Ishte një oficer ushtarak në Aleksandropol që zbuloi planin dhe njoftoi instancat më të larta. Zyrtarët e departamentit amerikan të shtetit thanë se ky rast është një tjetër fakt se Moska vijon të jetë e interesuar për zgjerimin e influencës destruktive në rajon, pas tentativave të ngjashme në Mal të Zi dhe Maqedoni.