TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Sekuestrohet një ton kanabis në fshatin bregdetar të Vilunit në Velipojë. Lënda narkotike u sekuestrua nga Forcat Operacionale nga Tirana në momentin që trafikantët po e transportonin me furgon nga Shkodra në një hotel në Vilun, ndërsa më pas do të ngarkohej në gomone per t'u trafikuar në Itali.
Në flagrancë është arrestuar një efektiv policie në momentin që po zhvillohej aksioni për sekuestrimin e kanabisit në fshatin Vilun, i cili ka qenë garant për transportin e drogës.
Operacioni është mbajtur sekret, ndërsa ndërhyrja është bërë nga Forcat Operacionale nga Tirana. Në dijeni të operacionit nuk ka qenë e gjithë drejtoria e Shkodrës për shkak të frikës se mund të dekonspirohej për shkak se dyshohej se trafikantët kishin mbështetje brenda policisë lokale, që rezultoi e vërtetë.
Nga operacioni përpos policit janë arrestuar edhe disa persona. Aktualisht droga e sekuestruar po peshohet, ndërsa drejtori i Policisë së Qarkut të Shkodrës ka paralajmëruar një konferencë për mediat për të dhënë më shumë detaje nga operacioni.
Aksioni vijon për të vendosur para drejtësisë të gjithë personat që janë përfshirë në trafikun e lëndës narkotike. Policia kishte rënë prej disa kohësh në gjurmët e trafikantëve pas përgjimeve, ndërsa priti momentin e fundit për t’i arrestuar.
Pas vështirësisë në Jug të vendit, tashmë trafikantët po tentojnë që të trafikojnë kanabisin drejt Italisë nga zona e Shëngjinit dhe Velipojës.