TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Qeveria portugeze ka reaguar pas vrasjes së turistit 20-vjeçar portugez, Luis Miguel Varela Mendes, në Ksamil, duke bërë të ditur se po monitoron nga afër rastin dhe po bashkëpunon me autoritetet shqiptare.
Raquel Trindade, nga zyra e Ministrit të Punëve të Jashtme të Portugalisë, tha se deri tani nuk ka informacion zyrtar për rrethanat e ngjarjes apo për ecurinë e hetimeve.
“Ministria e Punëve të Jashtme po ndjek rastin e këtij shtetasi portugez që vdiq në Shqipëri dhe, nëpërmjet ambasadës së saj në Romë dhe gjithashtu konsullatës së nderit në Tiranë, po bashkëpunojmë me autoritetet lokale”, deklaroi ajo.
Trindade konfirmoi për radion portugeze Renascença se, “për momentin”, autoritetet portugeze ende nuk e dinë saktësisht se çfarë ka ndodhur.
“Ne e dimë nga shtypi lokal se ka pasur arrestime, por për momentin nuk kemi ende informacion përmes rrjetit tonë”, shtoi zyrtarja.
Ajo siguroi se Ministria e Punëve të Jashtme do të vijojë të monitorojë situatën dhe të bashkëpunojë si me autoritetet shqiptare, ashtu edhe me familjarët e viktimës.
11 të arrestuar dhe dy në kërkim
Ndërkohë, hetimet e autoriteteve shqiptare kanë zbardhur detaje të reja mbi ngjarjen e rëndë, e cila ndodhi në orët e para të së martës, më 18 gusht, në ambientet e kompleksit “Principote” në Ksamil.
Sipas policisë, konflikti nisi rreth orës 05:15 në ambientet e lokalit dhe më pas vijoi në zonën e plazhit “Paradise”. Gjatë përleshjes, 29-vjeçari Sokrat Lipan, alias Sokrat Vata, dyshohet se ka goditur disa herë me thikë turistin portugez, i cili si pasojë e plagëve humbi jetën. Një tjetër person, David Heurtevent, i shpallur në kërkim, dyshohet se ka goditur viktimën me grushte. Të dy akuzohen për “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Në kuadër të hetimeve janë arrestuar 11 persona, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Policia ka shoqëruar gjithashtu dhjetëra persona në komisariat për t’i marrë në pyetje dhe për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes.
I dyshuari kryesor u kap i fshehur në bagazhin e makinës
Pas ngjarjes, policia nisi një operacion për kapjen e autorit të dyshuar. Sokrat Vata u lokalizua dhe u arrestua në Levan të Fierit, ku, sipas policisë, ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që po udhëtonte drejt Tiranës.
Në automjet ndodheshin edhe dy shtetas turq, një 31-vjeçar që drejtonte makinën dhe një 38-vjeçar që ishte pasagjer. Sipas hetimeve, ata e kishin fshehur Vatën në automjet me qëllim që ta transportonin drejt Tiranës.
Autoritetet po hetojnë rolin e tyre dhe të personave të tjerë në largimin e të dyshuarit pas vrasjes.
Hetimi shtrihet edhe te personeli i sigurisë
Në fokus të hetimeve janë edhe persona të lidhur me shërbimin e sigurisë në kompleksin ku ndodhi ngjarja. Autoritetet po verifikojnë nëse persona të tjerë kanë pasur dijeni për konfliktin, kanë marrë pjesë në të ose kanë ndihmuar të dyshuarin pas krimit.
Gjithashtu, pronari i lokalit “Principote”, Bekim Bulica, është shpallur në kërkim në kuadër të hetimeve.
Autoritetet shqiptare vijojnë mbledhjen e provave dhe marrjen në pyetje të personave që ndodheshin në kompleks në momentin e ngjarjes, ndërsa nuk përjashtohen masa të tjera ndaj personave që mund të rezultojnë të përfshirë.
Për qeverinë portugeze, rasti mbetet në ndjekje përmes kanaleve diplomatike. Ministria e Jashtme e Portugalisë ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontaktet me autoritetet shqiptare dhe familjen e viktimës, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të vrasjes vijojnë.