AKTUALITET, 19 August 2026, 20:21

Makina lëvizte me shpejtësi mbi 114 km/orë, dalin pamjet e aksidentit me 3 viktima në Durrës (Video)

Të tjera detaje kanë dalë nga ngjarja tragjike e ndodhur ditën e sotme në Manëz të Durrësit, ku humbën jetën 25-vjeçari Kleo Vrioni, 26-vjeçarja Sara Brugnatelli, të sapomartuar, si dhe 15-vjeçari Alvi Muhaxhiri. Nga aksidenti mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, të cilët ndodhen në Spitalin e Traumës në kryeqytet.

Pamjet e siguruara nga aksidenti tragjik, i ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, kanë ndihmuar ekspertët në rindërtimin e dinamikës së ngjarjes.

Sipas konkluzioneve të ekspertëve, të nxjerra nga videoja, automjeti, në momentet para aksidentit, ka qenë duke lëvizur me një shpejtësi prej rreth 114 km/orë.

Nga rindërtimi i dinamikës së ngjarjes rezulton se, në momentin e marrjes së kthesës, drejtuesi ka humbur kontrollin mbi automjetin. Fillimisht, goma e parë në krahun e pasagjerit ka goditur bordurën, duke bërë që automjeti të humbiste më tej stabilitetin.

Pas përplasjes me bordurën, makina është përmbysur dhe më pas ka shkuar zvarrë për rreth 40 metra, deri në ndalimin e saj.

Një tjetër element i rëndësishëm i ekspertizës lidhet me gjendjen e drejtuesit të automjetit. Analizat toksikologjike kanë konfirmuar se ai kishte konsumuar alkool.

Aksidenti i rëndë shkaktoi humbjen e jetës së tre personave, ndërsa dy të tjerë mbetën të plagosur dhe po marrin trajtim në Spitalin e Traumës në Tiranë.