AKTUALITET, 3 Maj 2021, 10:31

Vrasja e Arjan Spahiut, prokurorët belgë katër ditë në Elbasan për krimin që ndodhi në Bruksel

Vrasja e Arjan Spahiut, prokurorët belgë katër ditë në

Ekzekutimi i 38- vjeçarit, Arjan Spahiu, vitin e kaluar në Bruksel, ka sjellë në Elbasan një grup hetuesish dhe prokurorësh belgë.

Tre hetues, së bashku me prokurorë dhe përfaqësues të ambasadës, kanë kryer takime intensive me zyrtarë të lartë të Policisë dhe Prokurorisë në Elbasan, shkruan Panorama.

Qëllimi ka qenë mbledhja e informacioneve për Arjan Spahiun dhe aktivitetin e tij në Elbasan dhe jo vetëm, të cilat mund të çojnë në zbardhjen e motive të ekzekutimit të tij.

Burime nga organi i akuzës kanë njoftuar se grupi i hetuesve nga Brukseli ka qëndruar rreth katër ditë në Elbasan.

Spahiu u ekzekutua në një pritë mafioze në 28 nëntor të vitit të kaluar në kryeqendrën e Europës.

Ai u qëllua me armë zjarri sapo doli nga një lokal në zonën e Molenbek. 38-vjeçari ishte nën shoqërinë e mikut të tij, Florian Narazani.

Viktima, ka qenë i akuzuar 11 vjet më parë si organizator i vrasjes se Gëzim Alikajt, ngjarje e ndodhur në qytetin e Elbasanit, në afërsi të Urës së Zaranikës.

Sipas hetimeve të kohës, ky i fundit dyshohet se ka vrarë 13 vite më parë një të afërm të Arjan Spahiut, çka ka bërë që hetuesit belg të dyshojnë se, krimi ndaj 38-vjeçarit një vit më parë, lidhet pikërisht me këtë ngjarje.

Gjithçka mendohet se është pasojë e luftës mbi kontrollin e territorit për trafikimin e drogës mes grupeve kriminale shqiptare në disa qytete europiane.

VIKTIMA

Ardit (Arjan) Spahiu, 38- vjeçari që u ekzekutua me tetë plumba në mes të Brukselit një vit më parë, ka lidhje familjare me Erion Alibejn, i cili ndodhet pas hekurave për organizimin e disa vrasjeve.

Spahiu është kunati i Alibejt dhe më 28 nëntor 2020 mbeti i vrarë me tetë plumba në një nga lagjet më të njohura të Bruskelit.

I riu është person me precedentë penalë pasi në vitin 2010, është vënë në pranga si i dyshuar për vrasjen e Gëzim Alikajt, ngjarje e ndodhur në Elbasan. Për momentin Alibej është në burg.

Ai akuzohet se ka organizuar vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të të shumëkërkuarit Talo Çela, Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt. Erion Alibej është vëllai i Endrit Alibejt, që u vra tri vite më parë në Bradashesh së bashku me xhaxhain e tij, Arben Dylgjerin dhe shtetasin turk Erdal Duranay.

Nuk dihet ende nëse vrasja e Spahiut është pasojë e këtij zinxhiri krimesh. Sipas informacioneve paraprake ditën e ngjarjes, më 29 dhjetor 2018, mësohej se viktimat ishin drejtuar drejtë Peqinit. Endrit Alibej ishte me origjinë nga Peqini, ndërsa xhaxhai i tij, Arben Dylgjeri jetonte në Elbasan.

Endrit Alibej ishte arrestuar me herët në Itali gjatë një operacioni antidroge, asokohe ishte 29 vjeç. Endriti mësohet se kishte ndryshuar mbiemrin e tij për shkak të precedentëve të mëparshëm penalë.

Alibej ishte i njohur në qytetin e Elbasanit dhe me precedent për trafik lëndësh narkotike.

Ngjarja ndodhi në Bradashesh, ndërsa tre viktimat ishin duke udhëtuar me një mjet me targa italiane “AG71WYP” kur janë qëlluar me breshëri kallashnikovi.

Dyshohet se vrasja e trefishtë ka ndodhur për pazare droge kryesisht në Holandë dhe Angli ku edhe qëndronin viktimat prej më shumë se 5 vitesh.