IDE, 30 Maj 2018, 13:30

“Vllau Erdogan” si një pengesë drejt Brukselit?


Një intervistë e zakonshme e Edi Ramës në “France 24” ka përzierë në mënyrë artificiale në Shqipëri, emrin e Erdoganit, me atë të rrugës së vendit drejt hapjes së negociatave. Një pjesë po përpiqen ta shesin miqësinë e kryeministrit Shqiptar me sulltanin e ri të Ankarasë si një pengesë për verdiktin që pritet në fund qershorin e këtij viti. Ndërsa të tjerë po mundohen t’a zhfleftësojnë tërësisht këtë fakt.

Për të kuptuar se ku qëndron e vërteta duhet parë më fillimisht se si u provokua ky debat.

Gazetarja e TV publik francez e pyeti Ramën në fund të intervistës edhe për marëdhënien e tij me liderin turk. Ajo që duhet mbajtur shënim këtu ishte se në të gjitha pyetjet kritike që u drejtuan kryeministrit (dorheqja, krimi, dhuna ndaj mediave etj) qe renditur edhe ky problem. Pra, në një hamendësim të thjeshtë, mund të thuhet se raporti i tij okult me një udhëheqës që po shihet si delja e zezë nga demokracitë perendimore, gjendet tashmë në dosjet që shtetet europiane kanë për Edi Ramën.

Por, nga ana tjetër e gjitha mund të ketë qenë edhe thjeshtë një përkim për faktin se lideri turk ka qenë tejet në modë këto ditë në Francë. Një revistë franceze, “Le Point”, një nga të përjavshmet e referencës, me një tirazh prej 300 mijë kopjesh e kishte vënë në kopertinë foton e presidentit turk që po kërkon të rizgjidhet. Mbi ballin e tij me gërma të mëdha ishte shkruar titulli: “Le Dictateur” (poshte). Por, ky trajtim si diktator dhe sidomos editoriali i revistës, ku një nga penat më në zë të Parisit, Franz- Olivier Giesbert e krahasonte Erdoganin me Adolf Hitlerin, nxitën furinë e militantëve të AKP me banim në Francë. Disa kioska të shitjes së gazetave u sulmuan nga përkrahësit e Rexhep Taip Erdoganit ndërsa të tjerë gazetashitës u kërcënuan t’i tërhiqnin ato nga shitja. Përpos debatit të madh publik që shkaktoi ky fakt në vendin e të drejtave dhe lirive të njeriut, ai mori dhe trajta politike me ndërhyrjen e presidentit francez Macron, i cili duke theksuar se “liria e shtypit nuk ka çmim”, nuk nguroi edhe njëherë të shigjetojë homologun e vet turk.

Le Point

Pra siç shihet, shfaqja e emrit të Erdoganit në intervistën e Edi Ramës mund të ketë qenë edhe për këtë shkak. Dhe si e tillë ajo as nuk duhet të zërë më shumë vend sesa ka dhe as nuk duhet mbivlerësuar. Mbi të gjitha ne nuk kemi asnjë shenjë serioze, se edhe nëse miqësia e tepruar dhe personale Rama Erdogan, të jetë arkivuar në dosiet problematike të europianëve, ajo të ketë lidhje të drejtpërdrejtë me hapjen e negociatave. Në këtë kuptim shfaqja e portetit të vëllait turk në intervistën e Ramës, në France 24, nuk ka arsye për tu parë në perspektivën e vendimit që do të merret për Shqipërinë.

Por, nga ana tjetër, futja e emrit të Erdoganit në të, në mënyrë të rastësishme apo jo, tregon një tjetër gjë. Ajo flet për gjuhën e dyfishtë që përedor kryeministri ynë: ndryshe kur i flet shqiptarëve që qeveris dhe ndryshe kur i drejtohet zyrtarëve europianë nga të cilët pret miratimin.

Po të kqyren me kujdes, dy pyetjet e fundit të intervistës, Rama duket i frustruar, ai do ti shmanget dhe t’i devijojë përgjigjeve. Ai nuk lë përshtypjen që reket të japë në Shqipëri, kur shfaqet krenarisht në krah të vëllait Tahip, kur mburret që e ka shndërruar atë një aleat strategjik, kur publikon video si pasagjer i veturës së drejtuar prej tij, kur shkon si krushk politik në dasmën e së bijës, apo kur i thotë shqiptarëve se “me Erdoganin do bëjmë të mundura, gjëra që më parë dukeshin të pamundura”.

Pra, në asnjë moment, në sytë e europianëve, Rama nuk do të hiqet si i afërt politikisht, vëlla familjarisht, apo mik ekonomikisht me Erdoganin. Ai shkon deri aty sa edhe investimet turke ti krahasojë me ato ruse duke e ditur mirë konotacionin që kanë këto të fundit për mentalitetin perendimor.

Pra, më shumë sesa debati mbi rrezikun ose jo që përbën Erdogani për hapjen e negociatave të Shqipërisë, lajmi i intervistës së Ramës në France 24 është tjetër. Ai është se Rama flet me dy gjuhë të ndryshme, njërën për publikun shqiptar dhe tjetrën për zyrtarët e vendeve të BE-së. Dhe pas kësaj, konkluzioni meret me mend lehtësisht. Njësoj si për vëllain e tij turk, ai sillet ndryshe “me ne” dhe “me ata” edhe kur shprehet për krimin, drogën, opozitën dhe reformën në drejtësi. Pikërisht këtë vërtetoi  biseda e tij me gazetaren franceze.

Andi Bushati / Lapsi.al