AKTUALITET, 15 Tetor 2018, 20:53

Vjen edhe firma, “shpëtimtarit” Mema i vihet afat deri në fund të sezonit

Vjen edhe firma, “shpëtimtarit” Mema i vihet afat deri në

Ka tre ditë që stërvit Tiranën, por zyrtarizimi i Ardian Memës si tekniku i ri i bardhebluve është bërë vetëm sot nga klubi me një postim në faqen zyrtare dhe në rrjetet sociale. Aty shfaqet Mema për herë të parë përkrah presidentit Halili, i cili e kishte ndjekur në miqësoren me U19 por duke qëndruar larg ekipit, ndërsa nuk kishte bërë as një prezantim zyrtar të trajnerit të ri kur ky i fundit u vu sot përballë medieve.

Në njoftimin e klubit bëhet e qartë se Mema, i kthyer në radhët e bardhebluve për t’i ndihmuar të dalin nga situata e vështirë në të cilën gjenden, ka afat deri në fund të sezonit për të treguar vlerat e tij në pankinë e kësaj skuadre.

Në njoftimin e klubit bëhet e ditur se kontrata është fillimisht njëvjeçare dhe se në fund të këtij edicioni, palët mund të binin dakord për të zgjatur edhe një sezon tjetër qëndrimin e tij në drejtimin e klubit për sezonin pasardhës.

NJOFTIMI I TIRANËS

Ardian Mema ka firmosur sot zyrtarisht kontratën që e rikthen në shtëpi si bardheblu. Tekniku ka nënshkruar sot një marrëveshje 1-vjeçare në praninë e presidentit Refik Halili. Në këtë kontratë është parashikuar një opsion rinovimi për sezonin e ardhshëm. Mema është ish-futbollist dhe ish-trajner i Tiranës dhe rikthimi në shtëpi është një premtim për vazhdimësinë e këtij sezoni.