AKTUALITET, 21 Gusht 2020, 10:50

“Viti shkollor në prag”, Pampuri: Qeveria ka lënë totalisht në harresë fëmijët me aftësi ndryshe

“Viti shkollor në prag”, Pampuri: Qeveria ka lënë


Partia Demokratike akuzon qeverinë se ka lënë totalisht në harresë fëmijët me nevoja të veçanta.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Orjola Pampuri shkruan se një nga problematikat më të rëndësishme në vitin shkollor që lamë pas dhe që mbetet e pazgjidhur dhe larg vëmendjes së ministres së arsimit edhe këtë vit të ri shkollor, është arsimimi, edukimi dhe mbështetja për fëmijët me nevoja dhe aftësi ndryshe.

Më tej Pampuri shprehet se shpenzimet për sigurimin e një arsimi cilësor për fëmijët në nevojë janë planifikuar më të ulëta se shpenzimet faktike të vitit 2015 për të gjithë periudhën 2018-2020.

POSTIMI:

Edhe pse në prag të vitit të ri shkollor, një vit aspak normal për shkak të Covid 19, qeveria ka lënë totalisht në harresë fëmijët me nevoja të veçanta.

Një nga problematikat më të rëndësishme në vitin shkollor që lamë pas dhe që mbetet e pazgjidhur dhe larg vëmendjes së ministres së arsimit edhe këtë vit të ri shkollor, është arsimimi, edukimi dhe mbështetja për fëmijët me nevoja dhe aftësi ndryshe.

Kryeministri në ikje Edi Rama, Ministrja e Arsimit Besa Shahini dhe Ministrja e Kujdesit Shëndetësor Ogerta Manastirliu, i kanë lënë tërësisht jashtë vëmendjes së punës së tyre këtë kategori fëmijësh.

Gjatë kohës së pandemisë, ata mezi u lejuan pas 1 muaji të mund të dilnin në orar të kufizuar jashtë banesës.

Ende sot ne nuk e dimë sesi mund të jetë kryer mësimi online dhe cili ka qenë efektiviteti i këtij mësimi për fëmijët që nuk dëgjojnë e nuk shikojnë, për fëmijët me sindromën Doën, për fëmijët me crregullime të spektrit të autizmit, etj.

Ne dimë nga raportet e dhëna e organizmave që veprojnë në Shqipëri, se mundësitë e arsimit për këta fëmijë janë tejet shqetësuese.

“Shpenzimet për sigurimin e një arsimi cilësor për fëmijët në nevojë janë planifikuar më të ulta se shpenzimet faktike të vitit 2015 për të gjithë periudhën 2018-2020.

Sipas MASR sot ka mbi 300 mësues ndihmës, por është e rëndësishme të theksohet se këta mësues ndihmës nuk kanë formimin e duhur për rolin që ushtrojnë.

Në Shqipëri ende nuk ekziston një kurrikul e përshtatshme universitare për përgatitjen e mësuesve ndihmës me njohuritë, aftësitë dhe kompetencat profesionale që të mundësojë integrimin e fëmijëve me aftësi ndryshe në komunitetin e një klase të zakonshme.

Po kështu në vitin që lamë pas dhe atë që pritet të fillojë, nuk kemi një plan për transportimin e kësaj kategorie fëmijësh në shkolla; kushtet e distancimit fizik, marrja e masave higjienike për këtë kategori fëmijësh etj.

Në jo pak kronika televizive ne kemi hasur me dhjetëra raste, kur prindërit kryejnë rolin e mësuesit ndihmës, kur prindërit marrin taksi dhe dërgojnë fëmijët në shkollë, një kosto mjaft e rëndë, kur blejnë vetë karrocat për fëmijët me aftësi të kufizuar, kur paguajnë vetë për trajtimin me specialist logoped, fizioterapist e kështu me radhë.

Shumë herë prindërit, shoqata e këtyre fëmijëve, opozita në shumë e shumë raste, kanë ngritur zërin e kanë hasur në një mur të pakalueshëm të papërgjegjshmërisë së kësaj qeverie.

Një shoqëri dallohet sesa e ndjeshme dhe përgjegjshme është pikërisht, në mbështetjen që u jep shtresave në nevojë.

Prindërit dhe nxënësit e kësaj kategorie nuk kërkojnë lëmoshë, thjesht një trajtim me dinjitet, si të gjithë, në këtë shtet që nuk dëgjon dhe nuk ka asnjë ndjeshmëri për këtë kategori fëmijësh.