AKTUALITET, 21 Gusht 2020, 10:25

Pas “Shën Sofisë”, një tjetër kishë bizantine kthehet në xhami në Stamboll

Pas “Shën Sofisë”, një tjetër kishë


Duket se “Shën Sofia” nuk do të jetë e vetmja kishë e trashëguar nga Perandoria Bizantine, e cila u kthye sërish në xhami pasi ishte muze.

Deutsche Welle raporton se të njëjtin fat do të ketë edhe një tjetër kishë, e cila nga 1945 deri më tani ka qenë muze, por nga sot i ka ndryshuar statusi duke u kthyer në xhami.

Bëhet fjalë për Manastirin e Chora-s në Stamboll, i cili nga sot, pas publikimit të vendimit të gjykatës në Fletoren Zyrtare do të mund të përdoret edhe për faljen myslimane.

Ndërtesa është trashëguar nga Perandoria Bizantine pas marrjes së Stambollit nga Osmanët dhe më pas u kthye në xhami. Por, në vitin 1945 ajo u kthye në muze, ashtu siç kishte ndodhur disa vite më parë edhe me Shën Sofinë.

Vendimi i Turqisë për ta kthyer këtë manastir në xhami ka gjetur mbulim të gjerë në mediat greke, pasi Greqia shihet si trashëgimtarja e drejtpërdrejt e Perandorisë Bizantine.

Mediat greke raportojnë se vendimi për ta kthyer atë në xhami u mor një vit më parë, por kjo nuk ndodhi deri sot, kur u bë publike në Fletoren Zyrtare.